Kryeministri Edi Rama ka folur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për ndikimin e inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale në shoqëri, duke iu referuar edhe protestave të zhvilluara prej 118 ditësh në Shqipëri.

Rama përmendi nismën për krijimin e “Diellës”, të cilën e cilësoi si ministre të njohur ndërkombëtarisht të Inteligjencës Artificiale. Sipas tij, qëllimi nuk është transferimi i sovranitetit nga njeriu te makinat, por rritja e llogaridhënies së shtetit.

“Diella, ministrja jonë e njohur botërisht e AI. Nuk e bëmë për të zhvendosur sovranitetin nga njeriu te makina, por për ta bërë shtetin më llogaridhënës. Asnjë algoritëm nuk ka përgjegjësi kushtetuese”, deklaroi Rama.

Duke folur për rreziqet që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale dhe algoritmeve, kryeministri u ndal te “Revolucioni Flamingo”, duke pretenduar se një narrativë e rreme për pushtimin e bregdetit shqiptar nga Izraeli u përdor për të nxitur reagime te qytetarët.

“Keni ndjekur ose keni mësuar për Revolucionin Flamingo, narrativë të trilluar të një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar, pushtim që nuk ndodhi kurrë, u fabrikua dhe u përcoll përmes kanaleve që qytetarët u besonin tashmë. Qytetarët kanë arsye të protestonin por protestuan edhe kundër një armiku fantazmë.

Frika u shndërrua në zemëratë, kjo në mobilizim dhe trillimi në realitet politik. Nuk ishte eksperiment politik, algoritmi nuk shpiku dhe ndezi urrejtjen por zbuloi se si të aktivizonte urrejtjen tonë”, tha ai.

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb