Janë bërë 17 vjet prej kur Apple prezantoi para botës iPhone-in e parë, një pajisje teknologjike që revolucionarizoi botën e komunikimit.

Steve Jobs, asokohe CEO i Apple, e përshkroi iPhone-in si një rishpikje në botën e telefonave dhe se ky telefon i zgjuar vinte si një pajisje e tërë me tre funksione. Gjatë kësaj periudhe 17-vjeçare janë prezantuar gjithsej 15 seri të reja të iPhone-it, secila seri me ndryshime dhe me veçori të shumta.

iPhone ishte pajisja e parë me ekran të ndjeshëm në prekje dhe me internet. Steve Jobs, asokohe prezantoi celularin duke shtangur botën. I prezantuar në janar të 2007-ës, iPhone ndryshoi botën e teknologjisë dhe sjelljet e njerëzve.

“Nuk është vetëm pajisja më e mirë e krijuar ndonjëherë: Ndoshta është edhe më me ndikim, po ashtu”,- shkroi “Wired” më 2018, në një historik për dekadën e parë të iPhone-it.

iPhone bëri revolucion me ekranin e ndjeshëm në prekje, kamerën dhe qasjen e lehtë në internet, në mesin e shumë veçorive që deri atë ditë nuk ekzistonin. Në atë ditë prezantimi, botës po i shfaqej iPod-i me ekran të gjerë. Por audienca shpërtheu kur Jobs përmendi se krahas produkteve të reja, po vjen edhe “një telefon revolucionar”.

“Nuk janë tri pajisje të ndara. Është një. Dhe po e quajmë iPhone”,- tha Jobs në prezantimin që tashmë konsiderohet ndër më të veçantët në histori.

Kompania Apple ka sjellë shumëllojshmëri produktesh ndër vite. Dhe në muajin e ardhshëm pritet të lansohet edhe një pajisje tjetër revolucionare.

Më 2 shkurt pritet të dalin në shitje kufjet Apple Vision Pro, kufje me realitet virtual dhe me realitet të përzier.

ART&KULTURË

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb