Shoqata Çamëria dega Vlorë ka reaguar pas vrasjes së Rexhep Ismaili, duke e cilësuar atë si një mbrojtës të palëkundur të çështjes çame dhe një figurë të përkushtuar ndaj komunitetit.
Në reagimin e saj, shoqata shpreh dhimbjen për ndarjen tragjike nga jeta të Ismailit, i cili ka mbajtur më parë edhe detyrën e kryetarit të Shoqatës “Çamëria” në Sarandë.
Përmes deklaratës, Shoqata “Çamëria” dega Vlorë dënon vrasjen dhe u bën thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më shpejt rrethanat e ngjarjes dhe të vendosin autorët përpara drejtësisë.
Sipas shoqatës, Rexhep Ismaili do të kujtohet për angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave dhe kauzës së komunitetit çam.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të z. Rexhep Ismaili, Kryetar i Shoqatës ‘Çamëria’ Sarandë. Ai ishte një zë i palëkundur dhe mbrojtës i pashoq i çështjes çame që prej fillimeve të demokracisë.
Shoqata ‘Çamëria’ dega Vlorë dënon këtë vrasje të rëndë dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij!”, thuhet në reagim.
