“Pse Shqipëria dhe Kosova të mos kenë një kryetar të përbashkët, një Ministri të Politikës së Jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta në shtete të ndryshme në botë”?
Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin e Kosovës, me rastin e 10-vejtorit të pavarësisë. Prej asaj dite, marrëdhënia Shqipëri-Kosovë ka qenë në qendër të vëmendjes në arenën politike shqiptare e më gjerë. E ndërsa opinionet kundra propozimit të Ramës, qenë të panumërta, nga institucione dhe individë në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Serbi por edhe nga BE e SHBA, akademiku kosovar, Rexhep Qosja, i jep mbështetjen e tij të plotë.
Përmes një analize të përgatitur enkas për Gazeta Shqiptare profesori argumenton se pse deklarata e Ramës, është e drejtë. “Mendja historike, prandaj, këtë ardhmëri nuk e mohon në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë trysnish”, thotë profesori, duke nënvizuar se, kryeministri shqiptar nuk ka kërkuar ndryshim të gjendjes së shteteve. Teksa e vlerëson për paraqitjen dhe qëndrimin në politikën e jashtme, Qosja thotë se kryeministri i Shqipërisë është shtetari më i dinjitetshëm i vendit dhe se kjo deklaratë vjen në vazhdën e disa ideve të Ramës mbi Akademitë e Shkencave të të dy shteteve të shqiptarëve. Pas valës së reagimeve kundër deklaratës, kryeministri Rama, u tërhoq. “Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, deklaroi kryeministri në një intervistë për “TCH”. Por, ndërsa debati nuk u ndal te deklarata e tij, por preku edhe një herë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, çështja, është ende e nxehtë.
Artikullin e plotë e lexoni në GSH.al: http://www.gsh.al/2018/02/27/rexhep-qosja-president-perbashket-shqiperi-kosove-arsyet-perse-e-mbeshtes-ramen/
