Shtetet e Bashkuara vendosën veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër një projekt-rezolute që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm, pa kushte dhe përfundimtar në Rripin e Gazës.

Dokumenti bënte thirrje gjithashtu që Izraeli të hiqte të gjitha kufizimet për shpërndarjen e ndihmës humanitare në enklavën palestineze. Projekt-rezoluta ishte përgatitur nga dhjetë vendet jo të përhershme të Këshillit prej 15 anëtarësh dhe përfshinte gjithashtu një kërkesë për lirimin e menjëhershëm, të denjë dhe pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupe të tjera.

Propozimi mori mbështetjen e 14 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, por u bllokua nga vetoja e SHBA-së, i vetmi vend që votoi kundër.

Kjo shënon herën e gjashtë që Shtetet e Bashkuara përdorin veton kundër një projekt-rezolute për Gazën në Këshillin e Sigurimit, që prej shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit pothuajse dy vjet më parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb