Kur janë numëruar rreth 90 për qind e votave të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të se dielës.

Sipas numërimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.7 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.29 për qind, Lidhja Demokratike me 13.39 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.57 për qind.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përgëzoi qytetarët e Kosovës që “votuan në mënyrë paqësore sot, pavarësisht motit dhe pandemisë. Tani është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës që t’i numërojnë votat dhe të bëjnë punën e tyre”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Numërimi i votave mund të marrë disa ditë edhe për shkak të votave me postë dhe atyre me kusht.

Lëvizja Vetëvendosje tha se do të presë rezultatet përfundimtare u bëri thirrje mbështetësve që të shmangin kremtimet në sheshe për shkak të motit të lig por edhe për shkak të pandemisë së COVID-19.

Sipas rezultateve paraprake nuk duket që Vetëvendosje të sigurojë një shumicë prej 61 votash në parlament për të themeluar e vetme qeverinë, ndërsa një bashkëpunim mes partish është i domosdoshëm për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Dështimi për të bërë një gjë të tillë, mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që është kandidat për postin e presidentit, i uroi fitoren lëvizjes Vetëvendosje pas kohë pas fillimit të numërimit të votave.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përgëzoi lëvizjen Vetëvendosje për fitoren ndërsa nënvizoi se kjo parti do të qëndrojë në opozitë.

Ndërsa kandidati i Lidhjes Demkratike të Kosovës për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti, tha se merr përsipër përgjegjësinë për rezultatet e kësaj partie.

“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha zoti Hoti.

Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa shkroi në rrjetet sociale se Lidhja Demokratike e respekton rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa në ditët në vijim, do të bëhet një analizë e thellë e tyre.

“Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin”, shkroi ai./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: