Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan shprehu besimin e tij se rezultatet pozitive të takimit të tij me Presidentin e SHBA-së Donald Trump do të jenë të dukshme në të ardhmen e afërt.
Në deklaratat pas mbledhjes së kabinetit në Ankara, presidenti turk tha se më 25 shtator pati “një takim të gjerë, produktiv dhe përmbajtjesor me zotin Trump dhe delegacionin e tij në Shtëpinë e Bardhë. “Ne diskutuam shumë çështje me të në një mënyrë miqësore”, tha ai, “kryesisht tregtinë dypalëshe, investimet, energjinë dhe industrinë e mbrojtjes”.
Ai deklaroi gjithashtu: “Diskutuam masat që duhen ndërmarrë për të arritur objektivin tregtar prej 100 miliardë dollarësh, të cilin e vendosëm së bashku gjatë mandatit të parë të zotit Trump. Masakra në Gaza, agresioni në rritje i Izraelit, lufta Rusi-Ukrainë dhe zhvillimet në rajonin tonë ishin në krye të axhendës sonë.”
“Unë besoj se rezultatet pozitive të takimit tonë me zotin Trump do të jenë të dukshme për të gjithë ne në të ardhmen e afërt”, shtoi presidenti turk.
Erdogan gjithashtu e sulmoi opozitën, duke thënë se “arsyeja pse politikanët dhe gazetarët e opozitës po përpiqen të diskreditojnë vizitën tonë në SHBA është se kjo vizitë ishte jashtëzakonisht e suksesshme. “Nëse do t’i kishim kushtuar vëmendje asaj që tha opozita, Turqia nuk do të kishte asnjë nga investimet në infrastrukturë që ka sot. Nga politika e jashtme te transporti, nga energjia te industria e mbrojtjes, nga turizmi te shëndetësia, ne kemi arritur çdo hap pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm.”
Duke iu referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Rexhep Tajip Erdogan tha se “pavarësisht përpjekjeve të Izraelit për të penguar, çështja palestineze la gjurmë në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme” të OKB-së.
“Përveç një grushti vendesh, pothuajse askush nuk dëshiron të qëndrojë pranë Izraelit dhe qeverisë Netanyahu, ose të fotografohet me ta. Jemi shumë të kënaqur që numri i vendeve që njohin Palestinën ka arritur në 158, si një vend që në mënyrë efektive ka marrë drejtimin në këtë luftë”, komentoi ai dhe shtoi: “Të gjithë e pranojnë se Netanyahu, i cili është bllokuar nga hetimet për korrupsion, ndezi zjarre në rajon dhe në botë për të ruajtur pozicionin e tij. Ne qëndrojmë të palëkundur në krah të popullit palestinez që mbron tokën, lirinë dhe dinjitetin e tij”.
Së fundmi, ai argumentoi se njohja e Shtetit të Palestinës nga dy shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, megjithëse e vonuar, është jashtëzakonisht e rëndësishme.
