Pesë shtetas shqiptarë janë riatdhesuar nga Siria dhe kanë mbërritur në atdhe në orën 01:20, në kuadër të operacioneve të institucioneve shqiptare për kthimin e shtetasve që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe kampet në Siri.

Mes të riatdhesuarve janë tre të mitur dhe një grua 79-vjeçare. Në aeroportin e Rinasit, procesi u ndoq nga afër nga Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të përfshira në operacion.

“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi Lamallari në rrjetet sociale, duke publikuar edhe pamje nga operacioni.

Mes personave të kthyer është shtetasja Hajrie Taushani 79 vjeçe, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt këtij vendi për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it. Sipas të dhënave të bëra publike, ajo kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj.

Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, 79-vjeçarja kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte të vështira jetese, ndërsa kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.

Ministri Lamallari vlerësoi punën e institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me urdhër të Kryeministrit, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për realizimin e riatdhesimeve.

Procesi përfshin Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe strukturat e tjera shtetërore përgjegjëse.

Lamallari deklaroi se institucionet shqiptare do të vijojnë përpjekjet për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb