NGA: OLA MITRE* TIRANE- Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka gati lejet e reja të ushtrimit të profesionit, për 200 farmacistë, të cilët kanë përmbushur kriterin e ricertifikimit (kanë mbledhur numrin e kërkuar të krediteve) e që kanë aplikuar pranë këtij institucioni për t’u pajisur me certifikatën e re. Sipas UFSH-së, këta farmacistë, duhet të paraqiten pranë zyrave qendrore të këtij institucioni për t’u pajisur me këtë dokument. Po ashtu, saktësohet se për të tërhequr certifikatën e re, që iu mundëson ushtrimin e profesionit, në momentin e tërheqjes, këta profesionistë duhet të jenë të pajisur me një mjet identifikimi si dhe me certifikatën e vjetër.
Bëhet fjalë për farmacistët e punësuar në rrethet: Durrës, Dibër, Kukës, Lezhë, Shkodër, Fier, Berat, Elbasan, Vlorë, Korçë e Gjirokastër. Ndërkohë që, të gjithë ata farmacistë të cilët e gjejnë emrin në listën e publikuar sot nga “Gazeta Shqiptare”, duhet të paraqiten personalisht pranë zyrës qendrore në Tiranë, në datat 6, 7 dhe 8 korrik. Pas përpunimit të të dhënave nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, rreth ciklit të parë të edukimit në vazhdim, rezultoi se 72 farmacistë kishim marrë 0 kredite, ndërkohë që 121 të tjerë nuk i kishin përmbushur detyrimet, pasi kishim grumbulluar më pak se 100 kreditet e kërkuara.
Për t’u ricertifikuar, këta profesionistë të shëndetësisë do të duhet të futen në provimin e shtetit e vetëm nëse e kalojnë atë me sukses do të kenë të drejtë të ushtrojnë profesionin. Ndërkohë që, për pjesën tjetër, që kanë përmbushur detyrimet, UFSH-ja është duke përgatitur certifikatat e reja. Më herët, ky institucion publikoi edhe emrat e rreth 960 drejtuesve teknikë të farmacive, që kishin gati certifikatat e reja.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
