NGA MIRSAD RAKAJ*
Zvarritja e punimeve për rikonstruksionin e rrugës së Shirokës, një nga pikat e njohura turistike në zonën e Shkodrës, ka pasuar me reagimin e ashpër të prefektit Paulin Radovani. Në një deklaratë për shtyp dhënë ditën e djeshme, ai deklaroi se investimi në këtë aks duhet të realizohet sa më shpejt, në të kundërt do të bëjë denoncim në prokurori. Radovani ka kërkuar që firma të vijojë punën dhe punimet të përfundojnë më 30 korrik të këtij viti.
“I bëj thirrje firmës që të mos të zvarrisë punimet, sepse nuk është aspak normale përderisa fondet janë marrë. Unë si prefekt do të ngre padi penale ndaj zbatuesit të projektit nëse punimet nuk përfundojnë deri në fund të këtij muaji”. Edhe më herët, prefekti i Shkodrës ka apeluar ndaj njësive vendore që të jenë më të kujdesshme në hapat që hedhin, duke mos anashkaluar problemet e komunitetit që i ka zgjedhur në këto poste.
Shqetësimet e ngritura nga Paulin Radovani vijnë në një kohë kur sezoni turistik po shoqërohet me problematika të shumta që lidhen me shërbimet e ofruara nga njësitë vendore, pjesa më e madhe e të cilave janë shkrirë pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Burime zyrtare nga prefektura e Shkodrës, bënë me dije se rikonstruksioni i rrugës së Shirokës ka nisur në prill të vitit 2013, ndërsa duhej të kishte përfunduar më 3 shtator të vitit që shkoi.
Mësohet se projekti që po vihet në zbatim parashikon zgjerimin e rrugës, përcaktimin e trotuareve për kalimtarët, ndërkohë që është siguruar fondi për të pajisur me ndriçim këtë segment rrugor, i cili pritet t’i japë më tepër gjallëri kësaj zone turistike. Nga ana tjetër, edhe banorët e zonës kërkojnë që investimi të përfundojë sa më shpejt, pasi sipas tyre, është absurde që një zonë turistike të lihet pas dore. E ndërsa pritet që rruga e Shirokës të ketë standardet e kërkuara, ka mbetur në mëshirë të fatit aksi Shkodër-Velipojë.
Mungesa e fondeve nga qeveria ka bërë që kjo rrugë prej 33 km edhe këtë sezon veror të jetë në mëshirë të fatit. Drejtori i Autoritetit Rajonal të Rrugëve për Veriun, Nikolin Dedvukaj ka deklaruar për “GSH”, se në këtë aks do të bëhen riparime të pjesshme, aty ku ka më shumë probleme. Disa muaj më parë, Drejtoria Rajonale e Rrugëve për Veriun, ndër prioritetet e saj ka renditur edhe rrugën e Velipojës si të domosdoshme për t’u rikonstruktuar. Përveç amortizimit të rrugës së Velipojës, problem janë dhe bagëtitë që ecin nëpër të, duke u bërë shkak për aksidente automobilistike. Sipas banorëve të kësaj zone, ka 10 vite që aksi Shkodër-Velipojë nuk i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë.
(m.k/GSH/BalkanWeb)
