Një tjetër rast i emigracionit të paligjshëm me gomone është regjistruar në brigjet e Vlorës.
Rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm, Policia Kufitare mori njoftim për një mjet të vogël lundrues me 11 persona në bord, që ndodhej në vështirësi rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën drejt zonës me dy mjete lundruese tip gomone dhe bënë të mundur lokalizimin e mjetit, duke shpëtuar të gjithë personat që ndodheshin në bord.
Sipas informacioneve paraprake, emigrantët janë shtetas të pesë vendeve të ndryshme të Afrikës dhe Azisë: 5 nga Bangladeshi, 3 nga Pakistani, 1 nga Afganistani, 1 nga Haiti dhe 1 nga Liberia.
Të gjithë janë transportuar në tokë dhe aktualisht ndodhen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse.
Ende nuk është konfirmuar destinacioni i tyre apo nëse po tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Kjo pritet të sqarohet pas marrjes në pyetje të tyre dhe vijimit të hetimeve nga autoritetet kompetente.
Njoftimi i policisë:
Rrezikuan të mbyteshin, pasi lëviznin me një gomone të vogël dhe me sasi të pamjaftueshme karburanti, shërbimet e DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u shkuan në ndihmë 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.
Të gjithë emigrantët u nxorën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, menjëherë pas marrjes së kërkesës për ndihmë, përmes një telefonate nga një numër grek, rreth orës 07:30 të ditës së sotme, se disa emigrantë rrezikonin të mbyteshin në det, në veri të ishullit të Sazanit, u nisën drejt zonës së sinjalizuar.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanza (GDF), u bë i mundur lokalizimi i gomones në hapësirën detare dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 11 emigrantëve nga vende të ndryshme.
Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se mjeti lundrues ishte një gomone me përmasa të vogla (rreth 3 metra me motor 25 KF), me sasi të vogël dhe të pamjaftueshme karburanti në serbator.
Gjithashtu, nga monitorimi i hapësirës detare me radarë rezulton se gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë tentativë të mjeteve lundruese për të lëvizur drejt ujërave ndërkombëtare.
Grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për këtë rast, vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti.
