Armenia tha se snajperistët azerbajxhanas vranë të mërkurën një ushtar të saj.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se ushtria e Azerbajxhanit hapi zjarr në pjesën Jerask të kufirit.

Ministria tha se “i dënon ashpër veprimet e palës azerbajxhanase” dhe paralajmëroi se ato “nuk do të mbeten pa përgjigje”.

Azerbajxhani nuk ka dalë ende me ndonjë koment, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkaktimin e incidenteve kufitare në javët e fundit.

Vitin e kaluar, Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar gjashtë javë për rajonin e Nagorno Karabakut.

Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.

Rreth 6,000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpshimi të ndërmjetësuar nga Moska.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth tij janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.

Ushtari i vrarë të mërkurën është ushtari i dhjetë armen që raportohet të jetë vrarë nga forcat azerbajxhanase prejse ka hyrë në fuqi marrëveshja për armëpushim, nëntorin e vitit të kaluar.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb