Llogaria zyrtare e News24 në Instagram është rikthyer në funksion, pas një ndërprerjeje që e bëri atë të paarritshme për ndjekësit për 3 ditë. Rikthimi u bë i mundur pas punës intensive dhe pa ndërprerje të ekipeve të IT, në bashkëpunim me përfaqësuesit e META-s.
Ngjarja vjen në një periudhë kur profili i televizionit më të madh informativ në vend, News24 kishte shënuar shifra rekord të audiencës, duke arritur në 274 milionë shikime gjatë ditëve të fundit të raportuara, ndërsa u shtuan mijëra ndjekës të rinj. Përmes kësaj llogarie, televizioni ka pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet politike dhe protestat masive të muajve të fundit, si dhe protestat studentore që kanë dominuar aktualitetin në ditët e fundit.


Dyshimet janë se ndërprerja e llogarisë mund të ketë lidhje me pasqyrimin mediatik të protestave dhe zhvillimeve të fundit në vend. META po heton rastin për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur me llogarinë zyrtare të News24.
News24 do të vijojë të informojë publikun dhe të kërkojë transparencë të plotë mbi këtë rast.
Redaksia e News24 falënderon të gjithë ndjekësit për mbështetjen dhe interesimin gjatë kësaj periudhe.
