Partizani po përgatit ndeshjen me Flamurtarin, ndërsa “Panorama Sport” mëson se prej disa kohësh edhe Karlos Martinez është gati për të dhënë kontributin e tij.
Martinez luan në krahun e djathtë të mbrojtjes ku së fundmi kanë kontribuar Albion Marku dhe Marjus Kola. Për këtë nuk do të jetë aspak e lehtë, që trajneri Kërnaja të vendosë.
Ishte fundi i muajit gusht, kur mbrojtësi nga Kosta Rika u dëmtua duke thyer dorën. Për këtë qëndroi rreth tre muaj larg fushës së blertë. 26-vjeçari luante të plota dy ndeshjet e Europës me Kaljun, më pas edhe sfidën e javës së parë ndaj Vorës. Prej atëherë u kthy në një emër të harruar. Tashmë mbetet për t’u parë, kur do të bëhet sërish pjesë e 21 lojtarëve të preferuar për ndeshje. Për sfidën derbi ndaj Tiranës u preferua në tribunë.
ZGJEDHJET- Martinez ishte në tribunë ndaj Tiranës, ndërsa trajneri Kërnaja preferoi të llogariste Kolën dhe Markun për krahun e djathtë. Bashkë me të ishin edhe lojtarë të tjerë si Xhudah Garsia, Tedi Malaj, Babukar Jata dhe Viktor Da Silva.
Kërnaja është i detyruar për zgjedhje të tilla në çdo ndeshje, pasi kontingjenti shkon rreth 30 lojtarë. Nga sfidat e Ligës së Konferencës me Kaljun në Europë, ndryshimet janë të dukshme. Ekipi B ndërkohë luajti rol të rëndësishëm, që Partizani i Superiores të dilte nga kriza.
