Inter gjen sërish ritmin me rikthimin e Hakan Çalhanoğlu, një nga lojtarët kyç të mesfushës zikaltër. Kur ai mungon, diferenca ndihet; kur është në fushë, skuadra ndryshon fytyrë.

I motivuar edhe nga kualifikimi i Turqisë për Botëror, Çalhanoğlu mori në dorë drejtimin e lojës ndaj Romës, duke qenë vendimtar me golin e avantazhit 2-1, një moment që mund të peshojë shumë në garën për titull.

Pavarësisht një sezoni të vështirë me dëmtime – që e kanë mbajtur jashtë në shumë ndeshje – mesfushori turk ka arritur të shënojë 10 gola, duke konfirmuar rëndësinë e tij për skuadrën e drejtuar nga Cristian Chivu. Drejtuesit zikaltër po mendojnë për rinovimin e kontratës, edhe pse me kushte ekonomike më të ulëta, ndërsa interesi nga Galatasaray duket se është ftohur.

Në të njëjtën kohë, Inter vijon të monitorojë merkaton për të ardhmen. Emri i Nico Paz mbetet në listë, por transferimi i tij duket shumë i vështirë. Talenti argjentinas, aktualisht te Como, është i lidhur ngushtë me Real Madrid, që ka të drejtën ta rikthejë dhe planifikon ta integrojë në skuadrën e parë.

Për momentin, zikaltërit janë të përqendruar te objektivat aktualë, ndërsa Paz pritet të mbetet më shumë një kundërshtar sesa një përforcim i mundshëm për sezonin e ardhshëm.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb