Partizani mbylli dje përgatitjet për ndeshjen e sotme në 20:00 në “Arenën Kombëtare” kundër Egnatias, sfidë vendimtare për rrugëtimin në “Final 4”.
Trajneri Skënder Gega, përveç analizës teorike, është përqendruar në sjelljen e skuadrës në gjendje optimale fizike për të përballuar një ndeshje të tillë. Buxhelaj, Mehmeti dhe Bytyçi kanë pasur probleme fizike pas ndeshjes me verdheblutë, por mjekët kanë arritur t’i rikuperojnë të tre, duke bërë që mungesa e vetme në gjysmëfinale të jetë Agim Zeka, që kthehet pas më shumë se dy javësh. Të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm.
TË RINJTË – Trajneri Gega në javët e fundit ka hedhur sytë edhe nga të rinjtë dhe dyshja që kanë spikatur, janë Elson Himallari dhe Tedi Malaj. Të dy prej javësh po stërviten me ekipin e parë, me trajnerin, që mund t’i bëjë edhe pjesë të ekipit të parë në këtë gjysmëfinale të sotme. Mbeshtetja tek të rinjtë duket se është në objeksionin e trajnerit për të ardhmen.
RRESHTIMI – Opsionet për Gegën nuk janë fort të larmishme, me trajnerin, që gjithsesi duket se në momentin e duhur ka arritur të gjejë stabilitetin e kërkuar në 11-she. Të kuqtë, me shumë mundësi, do të luajnë me formacion të ngjashëm me atë që zbriti në fushë kundër Elbasanit në javën e 36-të. Sembene duket se ka blinduar një vend në mesfushë, teksa edhe Bytyçi ka fituar fanellën e titullarit në mbrojtje.
