Rinisin sot negociatat në Kajro për një armëpushim të mundshëm gjatë Ramazanit në Rripin e Gazës, ku dje u dërguan dhe ndihmat e para humanitare nga forcat e armatosura amerikane për popullsinë civile në prag të urisë.
Në kryeqytetin egjiptian, një delegacion i Hamasit pritet të japë një “përgjigje formale” ndaj propozimit të hartuar në fund të janarit nga vendet ndërmjetësuese, Katari, Egjipti, SHBA dhe negociatorët izraelitë, sipas një burimi të AFP pranë palestinezëve.

Propozimi bën thirrje për një “fazë të parë” të një armëpushimi gjashtëjavor dhe lirimin e 42 pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli. Izraeli “pak a shumë” ka pranuar kushtet për një armëpushim në Rripin e Gazës, që do të thotë se topi është “në fushën e Hamasit”, u tha një zyrtar amerikan, gazetarëve në Uashington të shtunën, duke folur në kushte anonimiteti. Qeveria izraelite nuk e ka konfirmuar këtë informacion. Një ditë më parë, presidenti amerikan Joe Biden përsëriti se “shpreson” që të shpallet një armëpushim deri në Ramazan, muaji i shenjtë për myslimanët, i cili këtë vit fillon në natën e 10 ose 11 marsit.

Në gati pesë muaj, lufta, e shkaktuar nga një sulm i paprecedentë nga Hamasi në Izraelin jugor, ka marrë jetën e 30,320 njerëzve në Rripin e Gazës, shumica dërrmuese e tyre gra dhe fëmijë, sipas raportit të fundit të ministrisë së Shëndetësisë. Në enklavën e vogël bregdetare, situata humanitare është katastrofike. Sipas Jens Lerke i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), 2.2 nga 2.4 milionë banorët e saj janë të kërcënuar nga uria “pothuajse e pashmangshme”. Ministria e Shëndetësisë e Hamasit njoftoi se 13 foshnja kishin vdekur nga “kequshqyerja dhe dehidratimi” ditët e fundit. Për shkak të vështirësive të mëdha në dërgimin e ndihmave humanitare në rrugë për në enklavë, të cilën Izraeli e ka vendosur një rrethim që nga 9 tetori, disa vende po hedhin ndihma me parashutë, veçanërisht Jordania me Francën, Holanda me Britaninë, Egjipti me Emiratet e Bashkuara Arabe.


SHBA kreu një operacion të parë të tillë dje, ku tre avionë ushtarakë hodhën 66 pako me parashuta. Ato përmbanin mbi 38,000 vakte. Operacioni u krye së bashku me Jordaninë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: