“Rinovimi i kontratës? Mungojnë vetëm disa detaje. Nënshkrimi natën e Vitit të Ri? Do ta bëja qysh nesër! Jam i qetë dhe i sigurt, ndihem mirë këtu dhe dua shumë të rinovoj”. Kështu u shpreh Lautaro Martinez, ekskluzivisht për “Sportmediaset”, duke konfirmuar dëshirën e tij për ta zgjatur “martesën” me Interin.
“Mungojnë vetëm disa detaje. Unë ndihem mirë këtu dhe familja është gjithashtu mirë. Njerëzit më duan dhe unë i dua. Klubi do të bëjë pjesën e tij, unë po bëj timen”, – saktësoi më tej kapiteni zikaltër. Tashmë, Beppe Marotta kishte bërë një përditësim të rëndësishëm për këtë çështje:
“Ne po përpiqemi të rinovojmë edhe për pesë vite të tjera, jemi duke negociuar. Gjëja e mirë është se ai ka një sens të madh përkatësie dhe cilësi vërtet të jashtëzakonshme”. Kapiteni i zikaltërve më pas u fokusua edhe te fillimi i shkëlqyer i sezonit:
“Sinqerisht e prisja, edhe nëse nuk e mendoja se do të përshtateshim kaq shpejt. Mos harroni se 12 lojtarë u larguan në verë nga Interi. Erdhën djem të jashtëzakonshëm, që punuan mirë nga dita e parë, por nuk e prisja që të mund t’i integronim të gjithë kaq shpejt. Zgjedhja mes një tjetër finaleje të Champions League dhe yllit të dytë? Gjithmonë e kam thënë që këtë sport e ushtroj për të fituar. Është e vështirë t’i arrijmë të gjithë objektivat, por ne punojmë për këtë”.
Rivalët kryesorë të Juventusit në kampionat? “Rruga është ende e gjatë, – vazhdon Lautaro Martinez, – faza e parë nuk ka përfunduar. Ne duhet të vazhdojmë kështu, sepse ka skuadra të tjera të forta si Milani dhe Napoli”.
Ka vend për fjalë edhe rreth Simone Inzaghi: “Trajneri është rritur shumë nga pikëpamja teknike dhe njerëzore. Një person i jashtëzakonshëm, që ua jep të gjithëve shansin. Nëse stërvitesh mirë tek Interi, atëherë mund të luash.
Top-trajner? Patjetër, ai ka tri vite të jashtëzakonshme këtu, duke fituar kupa dhe arriti në finalen e Ligës së Kampionëve. Kampionati i humbur na ka mbetur peng, por tani jemi në ritëm të plotë.
Objektivi i sezonit? Do të doja të shënoja shumë, por e rëndësishme është që Interi të fitojë. Objektivi im është të përmirësohem çdo vit”. Për ta bërë këtë nevojitet ndihma e çmuar e shokut të tij të skuadrës, Thuram: “Unë dhe ai si Eto’o dhe Milito? Jo, ata bënë historinë e Interit. Marcus ka mbërritur me shpirt të madh, do të bëjmë gjithçka për ta ndihmuar ekipin deri në fund”
(BalkanWeb)
