Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar sot një riorganizim të thellë dhe të gjerë në strukturat më të larta të ushtrisë ruse. Ndryshimet përfshijnë emërimin e komandantëve të rinj operacionalë në frontin e Ukrainës, unifikimin e logjistikës dhe krijimin e një force të posaçme të dedikuar për luftën me dronë, transmetojnë mediat ruse duke iu referuar njoftimit zyrtar të Kremlinit.

Gjatë një takimi të zhvilluar në Moskë, Putin e ka arsyetuar këtë valë lëvizjesh si një domosdoshmëri për të përshtatur strukturën e Ministrisë së Mbrojtjes me ritmet dhe përvojën e fituar në terren gjatë konfliktit në Ukrainë.

Forcat e Dronëve: Gjenerallejtënant Denis Lyamin është emëruar në krye të Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Rusisë, një strukturë e sapokrijuar për t’i dhënë prioritet teknologjisë ajrore pa pilot në fushëbetejë.

Fronti Lindor dhe Jugor: Udhëheqja e forcave në terren është riformatuar. Gjenerallejtënant Andrei Ivanaev merr drejtimin si komandant i Grupit të Forcave “Qendra”, ndërsa gjenerallejtënant Petro Bolgarev emërohet komandant i Grupit të Forcave “Lindje”. Putin e cilësoi objektivin e Grupit “Qendra” – kapjen e plotë të rajonit të Donetskut – si “thelbësor dhe shumë të vështirë”, ndërsa vlerësoi përparimin e forcave lindore në Donetskun jugor dhe Zaporizhzhia.

Logjistika dhe Zëvendësministri i ri: Ish-komandanti i grupit “Qendra”, gjenerallejtënant Valery Solodchuk, është ngritur në detyrë si zëvendësministër i mbrojtjes. Ai do të mbajë përgjegjësinë për mbështetjen në prapavijë, shërbimet logjistike dhe unifikimin e sistemeve të transportit dhe furnizimit.

Ky emërim i fundit pritet të ngjallë polemika të forta, pasi Solodchuk figuron në listën e kriminelëve të luftës të publikuar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR), i cili e akuzon atë për krime të kryera nga trupat nën komandën e tij gjatë sulmit fillestar ndaj Kievit në vitin 2022.

Ky riorganizim i madh ushtarak pason nismën e ministrit rus të Mbrojtjes, Andrey Belousov, për të ndërmarrë reformën më të madhe administrative të ushtrisë ruse në më shumë se një dekadë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb