Instagram po punon për një aplikacion të ri të pavarur blerjesh. Aplikacioni i quajtur IG Shopping do t’i lejojë përdoruesit të shfletojnë koleksionet e mallrave nga tregtarët që ndjekin dhe t’i blejnë ato direkt me anë të aplikacionit.
Ende nuk është mësuar kur do të fillojë ky aplikacion pasi zhvillimi i tij është ende në vijim dhe mund të anulohet para se të lançohet. Por burimet e njohura me zhvillimin e tij thonë se Instagram beson se është pozicionuar mirë për të bërë një zgjerim të madh në tregtinë elektronike.
Më shumë se 25 milionë biznese tashmë kanë llogari Instagram, dhe 2 milionë prej tyre janë reklamues, tha Shefi i Operimit të Facebook Sheryl Sandberg në deklarimin më të fundit të fitimeve të kompanisë. Katër në pesë përdorues të Instagram ndjekin të paktën një biznes.
Instagram filloi testimin e një tipari blerjesh në Nëntor 2016, dhe e mbështeti atë më gjerësisht në Mars të vitit të kaluar. Kompanitë mund të etiketojnë postimet me produkte individuale, duke u lejuar përdoruesve të blejnë direkt nga fotot, njofton pcw.
Aktualisht, Instagram po teston një tipar që lejon përdoruesit të blejnë nga historitë e Instagram. Shopping nuk do të jetë tipari i parë i Instagram që do të nxirret në një aplikacion të pavarur.
Kompania ka testuar Direct, një aplikacion i ri mesazhesh, që nga Dhjetori i kaluar. Në Qershor, ajo prezantoi IGTV, një konkurrent i YouTube që hedh videot vertikale në aplikacionin e tyre.
(BalkanWeb)