Kompania ajrore Blu Panorama ka nisur bashkëpunimin me operatorin shqiptar të fluturimeve Alba Wings.
Në një konferencë për shtyp, drejtuesit ekzekutiv folën për këtë bashkëpunim të ri, i cili do të rrisë numrin e destinacioneve të reja, do të shumëfishojë fluturimet dhe do të zmadhojë flotën e avionëve nga 8 në 12 të tillë.
“Blu Panorama sjell 1.2 pasagjerë, tashmë do kemi ne 12 avionë në flotën tonë. Duke filluar nga e hëna tjetër Blu Panorama do të ketë kodin e përbashkët fluturimi me kompaninë ajrore shqiptare Alba Wings. Duke filluar nga 1 tetori dhe javën tjetër do kemi fluturime të përbashkëta. Do të shtojmë destinacionet duke bërë më të shpeshtë fluturimet drejt Milanos, Ankones, Venecias.”- deklaroi Giancarlo Zeni, CEO Blu Panorama.
“Një marrëveshje e tillë është shumë e rëndësishme për historinë e aviacionit shqiptar. Shqipëria në hartën e Europës, ku një kompani ajrore operon në të njëjtën standard siç do kompania ajrore tjetër.”- deklaroi Dhimitër Tola, CEO Alba Wings.
Drejtori ekzekutiv i Blu Panorama, Giancarlo Zeni deklaroi se për këtë vit parashikohet transporti i 600.000 pasagjerëve nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas, teksa lançoi 3 destinacione të reja në Itali.
“Falë bashkëpunimit me Alba Wings numri i destinacioneve shtohen nga 18 shtatori me Torinon, më pas me Trevizo dhe Firence”-u shpreh Zeni.
Lidhur me disa pakënaqësi nga pasagjerët për vonesa apo anulime fluturimesh në disa raste, Drejtuesi i Blu Panorama tha se prioritet i kompanisë janë klientët. Zeni u shpreh se prioritet ka siguria e pasagjerëve, teksa shtoi se probleme të tilla me vonesat hasin të gjitha kompanitë e fluturimeve në botë.
“Për kompanitë tona është shumë e rëndësishme siguria e pasagjerëve dhe avionëve, mendoni se ato janë makina që fluturojnë në ajër. Vonesa të tilla hasen në të gjitha kompanitë ajrore. Shikoni akoma me gjerë sa pasagjerë sjellim dhe sa të sigurtë janë ata me ne””- u shpreh ai.
Zeni paraqiti disa shifra lidhur me përpikmërinë e fluturimeve, ku tha se fluturimet e paanulluara janë 99% dhe përpikmëria në orare është 70%.
(BalkanWeb)
