TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike i ftuar në studion e News24, në rubrikën “Opinion” me gazetarët Edvin Parruca dhe Ola Bruko ka akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri dhe ka ftuar qytetarët ti bashkohen protestës së opozitës për çmimin e naftës, duke fikur makinat për 5 minuta ditën e hënë në orën 11:00. Duke folur edhe për probleme të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin, Ristani akuzoi qeverinë dhe ministrin e brendshëm për dy standarde përballë krimit. Ai tha se personi që kërcënoi kryeministrin Rama u arrestua, ndërsa personi që kërcënoi kreun e opozitës u fsheh nën sqetullën e ministrit.

“Qeveria është e papërgjegjshme, duhet të dëgjojë qytetarët. Çmimi naftës në vend është më i larti në Europë dhe kjo gjë është pikërisht pasi qeveria do që çmimi i naftës të jetë i lartë. në orën 11:00, të hënën, të fiken makinat për 5 minuta. Po nis një valë e re proteste kundër qeverisë. Partia Demokratike do të menaxhojë zemëratën popullore. Do të ketë protesta edhe më të mëdha”, tha Ristani.

Deputeti demokrat u ndal edhe tek situata e rendit dhe sigurisë në vend, ku nuk ka kursyer sërish qeverinë dhe Ministrin e Brendshëm nga akuzat. Ristani tha se policia ka në krye njerëz të inkriminuar dhe se policia është kthyer ne inspektorat ndërtimi apo energjie.

“Krimet që po ndodhin tregues i përkeqësimit të situatës së krimit në vend. Rendi dhe siguria, në gjendjen më të keqe. Bandat pranë qeverisë janë rikthyer. Policia e Shtetit ka në krye njerëz të inkriminuar. Njerëz që vetë socialistët i kishin hequr nga puna për shkak të përfshirjes së tyre në krime, sot janë rikthyer. Kanë shpërngulur fokusin e vëmendjes, duke kthyer policinë në inspektorat ndërtimi, inspektorat energjie, vetëm që policia të mos bëjë detyrën”, tha Ristani.

Lidhur me pjesëmarrjen e opozitës në kryerjen e reformave, Ristani tha se mungesa e saj ka qenë e diktuar nga kushtet diskriminuese. “Do të ishte e dëshirueshme edhe për ne që të gjitha reformat të bëheshin me kontributin edhe të opozitës. Faktikisht jemi vendosur në kushte jo të drejta por diskriminuese. Si reforma territoriale, e cila është vetëm një hartë elektorale, në favor të interesave të mirëfillta elektorale. E bërë në qëllime të pastra manipulative. Mospjesëmarrja jonë ishte e diktuar”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Arben Ristani u shpreh se duhet ndryshim në strukturim institucional ndërsa për të marrë pjesë edhe opozita në kryerjen e kësaj reforme sipas tij është e nevojshme një marrëveshje e përbashkët.

“Reforma në drejtësi nuk duhet kuptuar si ndryshime njerëzish, nuk është ndërrimi i emrave reformë, por ndryshim në strukturim institucional. Ne kemi kërkuar që reforma në drejtësi të asistohet edhe nga partnerët tanë ndërkombëtar. Për të marrë pjesë në reformën në drejtësi na duhet një marrëveshje e përbashkët”, konkludoi ai.

Ristani kritikoi ashpër reformën territoriale, duke e cilësuar si hartë elektorale e bërë me qëllim për të manipuluar zgjedhjet e 21 qershorit. Ai tha se kjo hartë nuk do të prodhojë zgjedhje të lira, por pavarësisht kësaj Partia Demokratike sipas tij është e përgatitur për tu përballur elektoralisht.

“Fakti është që me këtë hartë elektorale, territoriale që është bërë, jam i sigurt se nuk do të prodhojë zgjedhje të lira e të ndershme. Përfundimisht ne jemi dhe do të jemi të përgatitur për tu përballur elektoralisht, por jemi dyshues dhe të bindur se kjo hartë nuk do të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi të bindur që kjo hartë elektorale e ashtuquajtur reformë territoriale është bërë për të manipuluar zgjedhjet. PD-ja është parti që ka dalë nga zgjedhjet e lira, e ka marrë pushtetin nga zgjedhjet e lira, por PD-ja këmbëngul dhe bën prezent për publikun se zgjedhjet kanë filluar të manipulohen nëpërmjet kësaj harte. Kjo qeveri mori votën nëpërmjet mashtrimit dhe do të qëndrojë nëpërmjet mashtrimit”, tha Ristani.

Duke ju kthyer situatës së rendit dhe akuzave ndërmjet PD-së për Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se ai është i përzier kokë e këmbë me krimin dhe se policia e qeveria zbaton standarde të dyfishta.

“Justifikimi i dorëzimit të fakteve për akuzat ndaj ministrit Tahiri nuk ka shumë rëndësi. Denoncimi publik bëhet që të dëgjojë edhe Prokuroria. As unë as zoti Paloka dhe askush që flet në emër të PD-së, nuk ka qëndrime personale por ne dalim dhe japim një qëndrim të PD-së. Përsa i përket Ministrit të Brendshëm, janë njerëz kokë e këmbë të përzier me krimin, njerëz që e favorizojnë krimin. Nuk ka përgjegjës tjetër përveç qeverisë që është në pushtet, kryeministrit dhe ministri i brendshëm për situatën në vend. Nuk ka përgjegjës në rast se bankierët vriten në mes të Tiranës, nuk ka përgjegjës tjetër për ekzistencën e laboratorit të kokainës, për përgjakjen e rrugëve të Tiranës. Para disa ditës u arrestua një avokat. Kërcënohet kryetari i opozitës dhe kërcënuesi futet nën sqetullën e ministrit apo e merr në makinë dhe shëtit me autorin, pra dy standarde”, tha Ristani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: