Tashmë, duke hyrë në javën e tretë të përgatitjeve verore, ritmi i stërvitjeve te Vllaznia është rritur. Kështu shkodranët kanë shtuar dozat duke zhvilluar edhe nga dy seanca stërvitore në ditë.

Paraditja ka qenë e zënë në palestër për kuqeblutë, ku fokusi ka pasur forca dhe përgatitja sa më e mirë e muskujve. Nën kujdesin e përgatitësit atletik, Kadija, shkodranët kanë zhvilluar seancën sipas një programi të detajuar. Pasdite për shkak edhe të temperaturave të larta në Shkodër, seanca është preferuar të zhvillohet pas orës 18:00.

Ku kuqeblutë si zakonisht kanë zhvilluar stërvitjet në fushën sportive të Golemit në periferi të qytetit. Seanca ka qenë e gërshetuar me shumë vrapime dhe sprinte, përpos lojërave të zakonshme me top. Apo edhe disa skemave që mund të përdoren gjatë lojës në momente të ndryshme. Kështu, fokusi total momentalisht i Martinit është përgatitja sa më e mirë fizike e gjithë ekipit.

Tekniku shkodran është fanatik i kësaj pjese dhe kërkon një skuadër që të jetë e aftë ta përballojë garën në kampionat nga fillimi në fund e po ashtu duke nisur gjithçka nga turet e Conference League, që do jenë prova e parë zyrtare për shkodranët në sezonin 2025-26.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb