TIRANË

Regjistrohen disa lëvizje në rang drejtorësh në Policinë e Shtetit. Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat, e cila raporton se me urdhër të kryepolicit Ardi Veliu janë ndërruar disa drejtorë qarku dhe kufiri.

Kështu, është shkarkuar nga drejtori i Policisë së Korçës, Lorenc Paganika, duke u zëvendësuar nga Ferdinand Mara. Në Fier është emëruar Drejtor Qarku Bledar Çeliku, ndërsa në Berat i është besuar detyra Neritan Nallbatit.

Po ashtu, janë ndërruar edhe drejtorët e Kufirit në Vlorë, Gjirokastër, Tiranë e Korçë. Drejtor i Kufirit në Korçë është emëruar Andin Marku, i cili më parë ishte në Fier.

Ndërsa ish-drejtori i Kufirit në Korçë, Arben Joca, emërohet në këtë post në Gjirokastër, ku largohet ish-kreu i mëparshëm Idajet Hoxha. Gjithashtu, është larguar nga detyra edhe drejtori i Kufirit në Vlorë, Luan Hysenaj. Ndërsa në Drejtorinë e Kufirit në Tiranë emërohet Arben Ibro.

Siç raporton gazetarja Bezat, këto nuk janë ndryshimet e fundit të Ardi Veliut, pasi po shihet edhe mundësia e ndryshimit të disa drejtorëve të tjerë kufitarë, si dhe ndryshimi i disa shefave të komisariateve.

NJOFTIMI I POLICISE
Ndryshime në disa Drejtori Vendore të Policisë në qarqe dhe Drejtori Vendore për Kufirin dhe Migracionin
Me qëllim dhënien e një impulsi të ri luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, goditjes së kultivimit të kanabisit dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt shoqëror, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, mëngjesin e sotëm, ka firmosur një sërë lëvizjesh të disa drejtorëve vendorë dhe atyre të kufirit.

Në këtë kuadër, Drejtues Ferdinand Mara nga këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm është emëruar Drejtor i DVP Korçë.

Drejtues i Parë Lorenc Panganika, deri tani Drejtor i DVP Korçë, transferohet dhe emërohet Drejtor në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

Drejtues i Parë Neritan Nallbati nga Drejtor i Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit është emëruar Drejtor i DVP Berat.

Drejtues Hasan Ahmetaj, deri tani Drejtor i DVP Berat, transferohet dhe emërohet Drejtor në Drejtorinë e Kufirit pranë Departamentit për Kufirin edhe Migracionin.

Kryekomisar Arben Joco, deri tani Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Korçë, transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Gjirokastër.

Kryekomisar Idajet Hoxha, deri tani Drejtor në Drejtorinë e Kufirit Gjirokastër, transferohet dhe emërohet specialist në Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtues i Parë Bledar Çeliku nga Drejtor në Drejtorinë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale emërohet Drejtor i DVP Fier.
Kryekomisar Andon Marko deri tani Drejtor i DVP Fier transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Korçë.
Kryekomisar Arben Ibro, me detyre asistent në Departamentin e Ruajtjes dhe Sigurisë në Akademinë e Sigurisë, transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Tiranë.
Kryekomisar Mirash Loci, deri tani specialist në Departamentin e Kufirit, transferohet dhe emërohet Drejtor në Drejtorinë për Kufirin Vlorë.

Kryekomisar Luan Hysenaj, deri tani Drejtor i Drejtorisë së Kufirit Vlorë, transferohet dhe emërohet Shef Sektori në Drejtorinë për Kufirin dhe Migracionin Tiranë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb