Indonezia është një aktor politik i rëndësishëm në kontinentin Aziatik, demokracia e tretë më e madhe në botë në kontekstin demografik, një vend anëtar i forumit G-20, pjesë e aleancës “ASEAN” me një angazhim ndërkombëtar historik në statusin e vendeve të paangazhuara gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, një status politik i vijuar në aktualitetin politik ndërkombëtar , i njëjti i cilësuar si “formë neutraliteti” ndaj zhvillimeve gjeopolitike ndërkombëtare. I quajturi “neutralitet” mund të konsiderohet politikisht i shëndetshëm në koherencë me vizionin e vendit që zgjedh pozicionimin e atillë, por veprimet me tendenca zgjeruese të aktorëve të tjerë si Kina mund të ndikojnë në një rishikim të pozicionit të shtetit në vetvete, pra Indonezisë apo dhe të fuqive të tjera si SHBA, Britania e Madhe , Franca apo Gjermania që mund të inkurajojnë instrumentat për rritjen e partneritetit me Indonezinë.

Indonezia është një vend demokratik prej vitit 1998, me zgjedhje që zhvillohen rregullisht në përfundim të mandatit 5-vjeçar Presidencial, një skenë politike e polarizuar jo për shkak të ideologjive politike përkatëse, por e ndarë dhe në bazë të strukturës demografike, etnike apo fetare të vendit. Shembulli më i qartë që dëshmon jo-natyralitetin politik të aleancave zgjedhore , përkatësisht e tilla mes fituesit të mundshëm PRABOWO SUBIANTO dhe djalit të Presidentit aktual të vendit, si kandidat për zëvendës/President;- mbetet të theksohet fakti politik i së shkuarës së afërt politike, zgjedhjet 2014 dhe 2019 ku Presidenti fitues më 2024 PRABOWO SUBIANTO ishte rival i Presidentit aktual WIDODO.

Më 14 Shkurt 2024, u mbajtën zgjedhjet Presidenciale në vend, ku me gjasë fitorja politike i përket Ministrit aktual të Mbrojtjes, kandidat për President në zgjedhjet e mëparshme 2014 dhe 2019, ish-gjeneralit PRABOWO SUBIANTO;- i njëjti i konsideruar si populist për shkak të retorikës politike, i drejtpërdrejtë duke tejkaluar mesazhet standarte diplomatiko-politike, një negociues politikisht jo i thjeshtë, por me një qasje realiste në përballimin e arsyeshëm të qasjes zgjeruese Kineze, fakt politik i përmendur nga i njëjti dhe gjatë periudhës së qëndrimit në opozitë.
Kjo retorikë politike e presidentit të ri të mundshëm të Indonezisë në të djeshmen e tij politike në opozitë ishte në frymën e mendimit të segmenteve të gjera të shoqërisë Indoneziane në kontekstin e pranisë së fuqisë punëtore Kineze, si një pengesë ndaj fuqisë punëtore vendase, varësisht një shtrese të gjerë të elitës së bizneseve Indoneziane-Kineze.

Përtej dinamikave politike të brendshme, standarteve të diskutueshme demokratike specifikisht në fushën e të drejtave të njeriut, dhe rotacioneve qeverisëse me thelb të munguar ndryshimi, drejtimi i politikës së jashtme shënon interes në kontekstin e sfidave të vazhdueshme gjeopolitike ku Indonezia nuk mbetet jashtë të tillave varësisht statusit të shpërfaqur të neutralitetit. Presidenti i ri, PRABOWO SUBIANTO ka premtuar vijimësinë e politikave të WIDODO në planin e brendshëm, në të njëjtën kohë secili mendim do të dërgonte në vijimësinë dhe në politikën e jashtme, por një arenë politike botërore jo e njëjtë mund të ndikojë në ndryshime të drejtimit të politikës së jashtme.

Gjatë 10 viteve të lidershipit Presidencial të WIDODO, presidenti aktual në mbyllje të mandatit, politika e jashtme ka qenë e fokusuar në kontekstin e tregtisë dhe tregut përmes fuqizimit të instrumentave të diplomacisë ekonomike duke u larguar nga linja politike tradicionale e diplomacisë me synimin e konsolidimit të pozicionit të Indonezisë si “fuqi rajonale” me interesa politike kryesisht në rajon, larg dinamikave dhe rivalitetit botëror SHBA-Kinë. Përtej bashkëpunimit ekonomik me Kinën, Kina është partneri më i madh tregtar i Indonezisë, por kjo e fundit ka përcjellë sinjale të qarta të një distancimi dhe kufizimi të formave të ndryshme të ndikimit politik të Kinës. Përtej marrëdhënieve përgjithësisht pozitive mes Kinës dhe Indonezisë, kjo e fundit ka përcjellë shqetësimin politik dhe diplomatik mbi cënimin e hapësirës së saj eksluzive në Detin e Kinës Jugore, hapësirë e pretenduar nga Kina.
Duke ndjekur ecurinë politike të këtyre mosmarrëveshjeve dhe në përgjigje të tendencave zgjeruese të Kinës, Indonezia zhvilloi një stërvitje të përbashkët ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më Gusht 2022, në ishullin Indonezian Sumatra ku rreth 5000 trupa ushtarake morën pjesë në stërvitjen më të madhe ushtarake ku përveç SHBA dhe Indonezisë, u përfshinë dhe Japonia, Australia dhe Singapori, gjithashtu. Stërvitja përfshiu forcat përkatëse tokësore, detare dhe ajrore të vendeve përkatëse dhe kjo stërvitje do të konsiderohej nga Gjenerali Amerikan i ushtrisë Amerikane në Paqësor Charles FLYNN që do e konsideronte stërvitjen si vijon; “ Është një simbol i lidhjes SHBA-Indonezia dhe marrëdhëniet në rritje midis forcave tokësore në këtë rajon të rëndësishëm. Sepse forcat tokësore janë ngjitësi që lidh së bashku arkitekturën e sigurisë së rajonit”.
Stërvitja u parapri nga vizita zyrtare e Sekretarit Amerikan të Shtetit, BLINKEN në Xhakarta, më Dhjetor 2021 ku do të shprehte angazhimin amerikan në rajon në respekt të secilit vend dhe do të deklaronte si vijon ;” Ne do të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të mbrojtur rendin e bazuar në rregulla që kemi ndërtuar së bashku përgjatë dekadave. Do të sigurojmë që rajoni të mbetet i hapur dhe i aksesueshëm” . Sekretari Amerikan i Shtetit do ta konsideronte Indo-Paqësorin si rajonin më dinamik të botës duke vijuar “ Më lejoni të jem i qartë: qëllimi i mbrojtjes së rendit të bazuar në rregulla nuk është të nënçmojë ndonjë vend. Përkundrazi, mbron të drejtën e të gjitha vendeve për të zgjedhur rrugën e tyre, pa shtrëngim apo frikësim”.
Japonia është një aktor i rëndësishëm në Indo-Paqësor dhe Indonezia ka ndërtuar një marrëdhënie politike të konsoliduar, e reflektuar dhe në marrëveshjen ushtarake të nënshkruar më 2021, gjatë kohës kur Presidenti fitues i zgjedhjeve të 2024, PRABOWO SUBIANTO ishte Ministër i Mbrojtjes ku i njëjti do të deklaronte;” Ftojmë palën japoneze që të marrë pjesë më shumë në industrinë e mbrojtjes. Gjithashtu ne inkurajojmë trajnimin e përbashkët midis shërbimeve tona, ajrore, detare dhe forcave tokësore”. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Tokio e para në histori mes dy vendeve, pas raundit të bisedimeve politike në formatin “2 plus 2”.

Indonezia ka ndërtuar marrëdhënie politike përkatësisht me Gjermaninë dhe Francën, dy vende të rëndësishme të Bashkimit Europian, të njëjtat që mund të konsiderohen si zëri politik i Bashkimit Europian në rajonin e Indo-Paqësorit, një zë që duhet konsoliduar përmes rritjes së bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm përfshirë dhe Indonezinë.
Indonezia është aktori politik i konsideruar në rradhën e “partnerëve të besueshëm” duke theksuar mbështetjen Gjermane deri në dërgimin e nëndetësve, por duke theksuar qartësisht vokacionin politik të paqes dhe sigurisë përmes përpjekjeve të arritjes së një balance mes nevojës për furnizim me armë të aleatëve dhe partnerëve të besueshëm dhe kufizimit të sasisë absolute të armëve të dërguara në mbarë botën.
Në të njëjtën kohë, Indonezia nuk mund të konsiderohet asfare një aktor periferik, e njëjta është pjesë e G-20 dhe bashkëpunimi me Francën ka spikatur në vitin 2021 pas qëndrimit Francez ndaj aleancës “AUKUS” dhe tensionimit të marrëdhënies me Australinë. Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm Francez të kohës Jean -Yves LE DRIAN në Xhakarta, Indonezi ishte në kuadër të një angazhimi të vazhdueshëm të Francës në Rajonin e Indo-Paqësorit dhe në ridimensionimin e marrëdhënieve me shtetet e ndryshme.

Si pjesë e G-20, Indonezia ishte vendi pritës dhe drejtues i punimeve të samitit në vitin 2022 duke përcjellë mesazhe politike të gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit; në të njëjtën kohë, Indonezia ftoi zyrtarisht për pjesëmarrje në samit Presidentin e Ukrainës, ZELENSKY duke dëshmuar sensibilitet politik dhe një distancim nga sulmi Rus në Ukrainë duke kërkuar përfundimin e konfliktit. Indonezia, bashkë me Indinë dhe Arabinë Saudite përbëjnë vendet me ambicie të qartë politike-ekonomike për tu rradhitur në rradhën e vendeve të zhvilluara në periudhën kohore politike 2040-2050.

Indonesia është vend anëtar i aleancës “ASEAN” ku përfshihen përkatësisht vendet Brunei, Kamboxhia, Indonezia, Laosi, Malajzia, Myanmari, Filipinet, Singapori, Tajlanda dhe Vietnami. Indonezia është aktori politik me fuqi thelbësore si pjesë e G-20 dhe bashkë me Malajzinë, Singaporin dhe Filipinet mund të përbëjnë dhe shënojnë hapat e një konsolidimi marrëdhëniesh në një qasje më të afërt me aleancën perëndimore apo dhe me aktorë pozitivish pro-aktivë në Indo-Paqësor si Japonia apo Australia. “ASEAN” është një aleancë në vëmendjen e dyanshme të SHBA dhe Kinës ku nevojitet një ndarje e qartë mes bashkëpunimit ekonomik të vendeve me Kinën dhe distancimit politik nga secila tentativë përkatëse zgjeruese. Çështja “Mianmar” mbetet komplekse në kuadër të aleancës “ASEAN” jo vetëm për situatën e brendshme, por dhe për një qëndrim politik favorizues të Kinës ndaj juntës ushtarake. “ASEAN” mbetet një aleancë komplekse, me aktorë shtetërorë politikisht heterogjenë, por vendimi i tyre në bllok për të mos përdorur monedhën e Dollarit në ekonomitë e tyre kombëtare nuk duhet të shkurajojë përpjekjen për konsolidimin e një partneriteti politik të vendeve të Indo-Paqësorit me vende të ndryshme të aleancës.
Marrëdhënia Indonezi-Australi mbetet komplekse ku Indonezia shfaqi kundërshtime dhe ndaj krijimit të aleancës “AUKUS” , një kundërshtim në koherencë me qëndrimin e Francës, në vitin 2021, vit i krijimit të aleancës. Ridimensionimi i marrëdhënies mes Francës dhe Australisë është modeli i kapërcimit të dallimeve, kapërcim i jetësuar si shkak i ndarjes së vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta; Indonezia dhe Australia mund të ridimensionojnë një partneritet ku shqetësimi i përbashkët mbi mbrojtjen dhe konsolidimin e sigurisë ndaj një aktori madhor nuk mund të interpretohet si shkak i kërcënimit ndaj njëri tjetrit;- në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, presidenti i ardhshëm i Indonëzisë Prabowo SUBIANTO do të theksonte që vendimi i Australisë mbi anëtarësimin në “AUKUS” është një çështje e brendshme që nuk cënon interesat kombëtare të Indonezisë.
Indonezia ka ruajtur pozitat balancuese mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës duke mos e konsideruar rivalitetin mes dy fuqive si fundor në dobi të njërës apo në dëm të tjetrës palë, por si një realitet politik botëror i vazhdueshëm; politika e jashtme e Indonezisë gjatë këtyre 10 viteve ka qenë e orientuar kah pozicionit të një fuqie rajonale, por ambicia pozitive e Presidentit të ardhshëm Prabowo SUBIANTO mund ta dërgojë orientimin e politikës së jashtme drejtë një dimensioni global ku kapërcimi i pozicionimit rajonal do të inkurajonte dhe nevojën për aleanca dhe partneritete të thelluara ku SHBA apo vende të Bashkimit Europian mund të jenë inkurajuesit dhe nxitësit e një pozicioni ndryshe të Indonezisë.
Përtej fitores të PRABOWO në zgjedhjet Presidenciale në Indonezi të mbajtura më Shkurt 2024 dhe retorikës së tij politike të një balance , mbetet thelbësore rritja e bashkëpunimit me Indonezinë , një vend i rëndësishëm në aleancën “ASEAN”. Indonezia ka dëshmuar një qasje të quajtur të neutralitetit politik, por ky fakt nuk mund të kufizojë rritjen e hapësirës politike për konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit mes Indonezisë dhe aleancave të konsoliduara si “AUKUS” apo “QUAD” apo një aleancë të re kohezive ku do të përfshiheshin vendet anëtare të aleancave aktuale plus Francën dhe Gjermaninë.
Sfidat e deritanishme dhe potencialisht të njëjtat e së nesërmes politike mund të imponojnë veprime të reja politike dhe nevoja aleancash ku neutraliteti mes politikës dhe ekonomisë mund të mos jetë efektiv; nevojitet një veprim pro-aktiv nga SHBA , Britani e Madhe apo vende të Bashkimit Europian, veprime të shpejta politike ku vende si Indonezia nuk mund të lihen jashtë vëmendjes, mund të përcjellë një efekt pozitiv domino në marrëdhëniet me vende të tjera të aleancës” ASEAN”; -konsolidimi i marrëdhënieve mund dhe duhet të jetë gradual duke marrë në konsideratë specifikat dhe dinamikat politike të secilit prej vendeve, për shembull Indonezia dhe Malajzia mund të jenë në një pozicion pro-aktiv pozitivisht angazhues në raport me Kamboxhian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: