Roma humbet përsëri, kësaj radhe ndaj Cagliarit dhe humbet mundësinë për të qenë afër kreut të renditjes në Serinë A. Humbja e dytë radhazi për verdhekuqtë e Gian Piero Gasperinit pas asaj ndaj Napolit, që konfirmon se kjo skuadër nuk është ende gati për të garuar për titullin kampion në Itali. Sfida ndaj sardëve u kompromentua që në nisje të pjesës së dytë, pas daljes nga loja me karton të kuq të Çelik. Miqtë e patën të vështirë të reagonin nën inferioritet numerik dhe u ndëshkuan me golin e Gaetanos 10 minuta nga fundi, që i dhuroi vendasve 3 pikë të rëndësishme.
Humbet Roma, ndërsa Lazio i gëzohet një pike me Bolognën. Në “Olimpico” u përballën dy skuadra të barabarta, që kishin nevojë për pikë, për të mos humbur terren me skuadrat e vendeve të para. Të dy golat erdhën gjatë pjesës së parë. Fillimisht Isaksen realizoi për skuadrën e Sarrit golin e zhbllokimit të shifrave në minutën e 38, por avantazhi i lacialëve zgjati vetëm 120 sekonda, pas do të ishte Odgaard që do të rivendoste ekuilibrin. Në pjesën e dytë skuadrat nuk guxuan shumë të shkaktonin dëm njëra tjetrës. Në minutën e 79 mbrojtësi spanjoll Gila u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë vendasit me një lojtar më pak në minutat e fundit të lojës. Pas këtij barazimi Bologna mbetet në vendin e 5 me 25 pikë, ndërsa Lazio në mesin e tabelës në vendin e 10 me 19 pikë.
