Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar deklaratat e fundit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili prej vitesh ndodhet në arrati në Zvicër. Ajo u fokusua te pretendimet e Ahmetajt lidhur me shoqërinë KAYO dhe përfshirjen e shtetasit izraelit Ron Yeffet.

Sipas Lalës, thelbi i deklaratave të Ahmetajt qëndron pikërisht te roli i Yeffet, i cili, sipas saj, ka qenë më parë subjekt denoncimesh. “Shqetësimi është se ky shtetas izraelit është denoncuar edhe më parë. Thënë nga Ahmetaj, kjo i jep një vlerë të re këtij aspekti,” tha Lala.

Gazetarja theksoi se deklaratat e Ahmetajt ofrojnë detaje të reja mbi skandalin brenda shoqërisë KAYO, të cilat, sipas saj, mund të ndihmojnë SPAK në hetimet për këtë aferë të dyshuar korruptive. “Rasti konkret tregon se këto informacione duhet të merren seriozisht nga organet e drejtësisë. Shtetasi izraelit ka lidhje me kryeministrin dhe është mik i tij, gjë e deklaruar publikisht,” shtoi Lala.

Ajo vuri në dukje se Ahmetaj, duke dhënë këtë “shkëndijë” informacioni, mund të posedojë të dhëna të tjera që ende nuk i ka bërë publike. Sipas Lalës, kjo lidhet edhe me faktin që Ahmetaj kërkon azil politik dhe mund të ketë motivet e veta personale, duke përfshirë një lloj hakmarrjeje ndaj ish-partisë së tij, Partisë Socialiste, që sipas tij e çoi në arrati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb