1 kg mish
2 qepë
2 karrota
4-5 lgj vaj
1 kokë hudhër
1 gotë verë
1-2 gjethe dafine
Kripë, piper

Garniturë:
Pure patate ose perime në avull

Rostoja mund të përgatitet me mish dashi, viçi, derri ose lope.

Vendosim mishin në tavolinën e punës dhe e spërkasim me kripë dhe piper. Me majën e thikës e shpojmë vende vende ku vendosim thelpinj hudhre dhe kokrra piperi. E vendosim më pas mishin në një tavë të thellë, e spërkasim me vaj dhe e vendosim në furrë të nxehtë në 200-220 gradë për t’u pjekur për 35-40 minuta.

Kur mishi të ketë krijuar kore të kuqerremtë e heqim tavën nga furra dhe e kthjemë mishin nga ana tjetër. E shuajmë me pak verë, e lemë 5 minuta të avullojë alkooli dhe shtojmë perimet rreth e rrotull. I spërkasim perimet me lëngjet e nxjerra të mishit dhe e vendosim përsëri në furrë duke shtuar dhe 1-2 gjethe dafine. E lemë tavën në furrë dhe 30 minuta duke e kontrolluar që të mos thahen lëngjet dhe duke ulur temperaturën në 180 gradë.

Nëse është mishi i madh e mbulojmë me letër kuzhine dhe i shtojmë pak lëng mishi ose ujë. Pasi të jetë gati heqim mishin nga tava dhe e vendosim në një pjatancë. Në tavë hedhim 3-4 lugë ujë duke e trazuar që të përzihet me lëngjet e pjekjes së mishit. E vendosim tavën në vatër të sobës dhe e lemë lëngun të reduktohet dhe të lidhet si salcë. Sipas dëshirës mund t’i shtojmë dhe pak miell (1/2 lugë supe) për t’a trashur.

Pasi rostoja të jetë pjekur e presim në fetëza të holla, e spërkasim me salcën e vet dhe e servirim me pure patate ose perime të ziera në avull apo dhe me pilaf.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb