TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ‘rrëfyer’ një anë tjetër të kundërshtarit të tij në politikë, Lulzim Basha. Para qytetarëve të njësisë 5 në Tiranë, Rama tha se me marrëveshjen me opozitën, maxhoranca e shpëtoi Partinë Demokratike dhe Lulin nga njollosja njëherë e përgjithmonë.

“Ne e shpëtuam Lulin, e shpëtuam PD nga njollosja njëherë e përgjithmonë se u fut në çadër nga frika e reformës në drejtësi. Demokratët e njësisë 5 duhet të votojnë PS që të na kthejnë detyrimin ndaj Shqipërisë. Luli jo vetëm që nuk është përgatitur për të qenë kryeministër por edhe për të ndenjur zgjuar kur fiken kamerat. Luli nuk është ai që shihni në televizor. Kur fiken kamerat duhet ta tundësh se e zë gjumi. Shqipëria ka humbur shumë kohë, ka ardhur vërdallë shumë vite. Shqipërinë e kanë tërhequr prej hundësh lloj –lloj matrapazësh që shfaqen si analistë, si lista me lloj–lloj alternativash. Ata e kanë mendjen të mbarojë emisioni dhe të shkojnë të fusin duart tek tepsia”, tha Rama.

Kryeministri i mëshoi sërish deklaratave se PS duhet të marrë votat për të qeverisur e vetme në mënyrë që sipas tij Shqipëria të ecë me shpejt drejt BE-së.

“Për të ecur drejt, shpejt aty ku të gjithë ne së bashku duam dhe për atje ku është aspirata e hershme e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes së bashkuar evropiane nuk mund të kemi atë rezultat menjëherë nëse nuk e kemi përgjegjësinë vetë dhe pa u justifikuar dhe ulur sytë kur dikush vjen dhe thotë po unë për çfarë ju votova, që të më thoni se atë zyrë e ka dikush tjetër dhe se tek ajo zyrë nuk vendos përgjegjësia jote por një parti tjetër? Ne ashtu nuk mund ta bëjmë dot shtetin që duam dhe atëherë kur duam domethënë sot dhe jo pas 10 vjetësh. Me marrëveshjen që bëmë ne dhamë provën se na u dha mundësia që ne jo vetëm nuk kemi armiqësi me kundërshtarët tanë, jo vetëm që nuk duam t’i shohim njerëzit e zakonshëm me bindje të tjera që ndihen të përjashtuar, por duam t’i shohim shqiptarët të bashkuar”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: