Rrëfime rrëqethëse vijnë nga të mbijetuarit në Gaza, që po përjetojnë ferrin e luftës për më shumë se një javë. Burrat në kampin e refugjatëve Dheisheh në Ëest Bank kalojnë shumicën e ditëve dhe netëve të tyre të mbërthyer në telefonat e tyre, duke pirë duhan dhe duke rifreskuar vazhdimisht burimet e tyre të lajmeve. Ata duken të rraskapitur, ndërsa tmerret e ditëve të fundit duken qartë në fytyrat e tyre, sipas CNN.

Këta 180 burra janë refugjatë nga Gaza, në mesin e rreth 18,000 banorëve që kanë leje pune izraelite dhe lejohen të kalojnë kufirin. Kur Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) mbyllën të gjithë aksesin në Gaza pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit të shtunën e kaluar, këta burra u bllokuan.

Gratë dhe fëmijët e tyre janë ende në Khan Younis, një qytet në Gazën jugore që tani është epiqendra e krizës së refugjatëve. Forcat Mbrojtëse të Izraelit IDF kanë goditur pa pushim Gazën me sulme ajrore dhe artileri pasi luftëtarët e Hamasit organizuan një sulm terrorist dhe lëshuan mijëra raketa në Izrael që deri më tani kanë vrarë të paktën 1,400 njerëz. Grupi terrorist gjithashtu rrëmbeu rreth 150 izraelitë të shtunën e 7 tetorit.

Ushtria izraelite thotë se qëllimi i saj është të shkatërrojë Hamasin dhe të sigurojë që ai kurrë nuk mund të kryejë më një sulm të tillë. Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza tha se 2,450 janë vrarë në tetë ditët e fundit, numër më i lartë se gjatë gjithë luftës së vitit 2014, e cila zgjati 51 ditë.

Gruaja dhe pesë fëmijët e Ismail Abd Almagid, katër vajza dhe një djalë, janë në Gaza ndërsa ai po qëndron në kampin e refugjatëve. Në njërën prej videove ai tregon vajzën e tij të vogël Misk duke ngrënë një copë mango. Kur tregon klipin, lotët e tij nisin t’i rrjedhin në fytyrë.

Tala, vajza e tij e dytë më e madhe, u plagos në luftën e vitit 2014 kur familja po qëndronte në shtëpinë e prindërve të tij. “Asaj i pëlqen patina me rul, kështu që i thashë se do t’ia sjell kur të kthehem”, tha ai mes lotëve.

Abd Almagid, 44 vjeç tha për CNN se ai përpiqet të mbajë kontakte me gruan e tij gjatë gjithë kohës, por komunikimi ka qenë i vështirë pasi Izraeli i ndërpreu Gazës aksesin në energji elektrike, ushqim dhe ujë.

“Fëmijët e mi më thonë të lutem për ta. Situata është shumë e vështirë atje”, tha ai. “Unë do të kthehesha (në Gaza) tani … edhe me gjithçka që po ndodh, më çoni në Gaza, unë do të shkoj me ju tani … jeta ime nuk vlen pa familjen time.”

Aktualisht Gaza po përjeton zhvendosje të popullsisë mes raketave dhe sulmeve nga Izraeli, ndërsa me qindra mijëra janë të drejtuar drejt jugut e shumë drejt rrugëve të mbipopulluara të Khan Younis.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb