Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Kongresin e Onkologjisë të organizuar sot Tiranë, ku merrte pjesë edhe ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema. Duke folur për një sëmundje shumë të rëndë, Rama ka bërë edhe një rrëfim për eksperiencën e tij personale me kancerin. Ai tha se ka kaluar një situatë të rëndë 11 vite më parë me djalin e tij, Greg Rama.

“Unë kam pasur një përvojë personale me kancerin dhe saktësisht, 11 vite më parë, më duhej të luftoja me një realitet tej mase të keq që u krijua për mua dhe familjen time, pasi mu desh të dija që djali im ishte i sëmurë me kancer. Dhe, mësimet që nxora nga kjo përvojë transformuese ishte e madhe në shumë aspekte. Por, një nga gjërat që mu desh të provoja në lëkurën time kishte një ndryshim të madh në atë që vetëdija bën, kur kemi të bëjmë me kancerin, një dallim që shtrihet nëpër të gjitha vendet, kur kemi të bëjmë për vendet dhe vendet nuk dallojnë duke u bazuar në atë që kanë, por më shumë në atë që dinë dhe sa më shumë të dinë aq më të mirë janë”, tha Rama.

Ai u ndal më tej në përpjekjet për të transformuar vendin dhe shëndetësinë. “Kongresi i Onkologjisë është një ngjarje e veçantë. Kemi investuar për shërbimet shëndetësore. Po luftojmë problemet që trashëguam”, tha ai.

Tri vite më parë edhe vetë djali i kryeministrit, Greg Rama ka rrëfyer momentin e vështirë dhe inkurajimin e marrë nga i ati. “U diagnostikova me kancer kur isha te xhaxhai im në Amerikë, mora Edin në telefon dhe i thashë: Unë mund të largohem, por unë nuk dua tëlargohem. Edi më tha që ti nuk ke për t’u larguar, sepse ti je djali im. Ti duhet të luftosh me këtë sëmundje si në një ndeshje basketbolli, loja nuk ka mbaruar akoma. Ke punë për të bërë, sëmundja është 3 pikë para teje, por ti duhet të bësh 3 pikëshin e barazimit. Pas kimioterapisë eksperimentale rezultati doli që unë isha shëruar. Fola me Edin e ai më tha: Shiko, ti e bëre trepikëshin e fitores, tani duhet të ruash qetësinë derisa të mbyllet loja. Ti je në avantazh dhe e ke fituar këtë lojë”, – rrëfeu gjatë një interviste të dhënë në vitin 2013 Greg Rama.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: