TIRANE– Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka sqaruar edhe njëherë dëshminë e dhënë nga Albert Veliu, një ish-trafikant i dënuar, i cili ka dhënë shumë të dhëna për aktivitete të jashtëligjshme në Vlorë, duke përfshirë edhe vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.


Në emisionin “Studio e Hapur” në “News24”, deputeti Salianji tha se dëshmitari X, ka dhënë dëshminë e tij në PD, duke saktësuar se në asnjë moment nuk është thënë se ai është personi që ka kryer përgjimin e Agron Xhafajt.

“Ai ka ardhur në PD dhe ka thënë dëshminë e tij lidhur me këtë ngjarje. Nuk ka thënë që e ka bërë ai përgjimin. Ne kemi këtë audio-përgjim që implikon rëndë vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në dëshminë e tij, ai tha se Shefi i policisë ka lehtësuar punën që bënte vëllai i ministrit. Nëse do të kemi materiale të tjera, dhe do të verifikojmë se janë autentike, do t’i publikojmë”, u shpreh ai.

Duke iu përgjigjur deklaratës së deputetit socialist Taulant Balla, i cili e etiketoi PD si “një organizatë kriminale”, demokrati Salianji tha se:

“Një parti që ka vendosur drejtojë persona me prcedentë, të gjithë që i luftojnë, qofshin parti, mediat, etj; i quajnë të tillë”.

Sakaq, deputeti Salianji ka theksuar se nuk ka asnjë diskutim audio-përgjimi i publikuar nga PD është autentik.

“Janë pyetur kompani ndërkombëtare nëse bëhet verifikimi zërit në distancë, dhe thanë jo. Këto janë teknikalitete që vetëm kryeministri i vijnë brenda ditës, dhe i paraprijnë vendimit të Prokurorisë që ende sot nuk është përgjigjur. Kryeministri Rama intimidon policinë. Por sot vëllai i ish-ministrit nuk ndodhet në Shqipëri, e çuan në Itali si zotëri, jo me pranga si çdo person që ka një dënim për të kryer. Sot ndaj tij në vendin tonë duhet të kishte nisur një procedim penal”, u shpreh Salianji.

(el.sp/BalkanWeb)