TIRANE – I zhgënjyer nga forma sesi u shkarkua. Priste pak më shumë kohë, duke qenë se edhe projekti që patën nisur ishin afatgjatë. Kjo nuk ndodhi dhe, sipas Shkëlqim Muçës, kjo sjellje nga ana e klubit s’ishte aspak etike dhe profesionale. Ishtrajneri i Tiranës, në një intervistë për “Panorama Sport” rrëfen gjithçka ka ndodhur gjatë përvojës së tij 4-mujore në krye të bardhebluve, por jo vetëm. Ai zbulon shumëçka, raportet me drejtuesit, lojtarët dhe tifozët. Sipas teknikut, vendimi i Halilit ishte i nxituar dhe “krisja” që solli largimin e tij ndodhi në mbledhjen e zhvilluar me tifozët pas humbjes në derbi.

“Që nga kontrata duket që me presidentin kishim një projekt afatgjatë, kështu u reklamua edhe në prezantimin tim, pasi dhe kontrata ishte e tillë. Për të ndërtuar një skuadër fituese dhe me mentalitet të tillë, duhet kohë. Unë kam qenë i bindur që kjo bëhet në bashkëpunim, pra jo vetëm nga një person. Prandaj që kur jemi ulur kemi biseduar me presidentin e me drejtorin teknik dhe dolëm në konkluzionin që ky është një proces dhe jo një punë që bëhet për 1 javë, 2 javë apo 2 muaj.

Por, natyrisht, klubi nuk iu përmbajt marrëveshjes që lidhëm. Për mendimin tim, presidenti bëri një veprim të nxituar dhe unë jam i bindur që është i ndikuar nga ambienti i jashtëm, si për shembull tifozët. Ata gjithnjë duan që çdo gjë të bëhet shpejt dhe kanë të drejtën e tyre këtu. Por, profesionistët, ata që kuptojnë futbollin, duhet të jenë të bindur që kjo punë do kohën e duhur. Kur rindërton një ekip nga fillimi, koha është faktor shumë vendimtar. Unë jam i bindur që, po të kishte besim më shumë klubi, gjërat do të shkonin më mirë.

Pengjet “Kur fillon një punë, pishmani është që ajo punë nuk shkon mirë. Ashtu si po rridhnin ngjarjet, shumë gjëra nuk shkuan me korrektësi. Me futbollistët dhe me skuadrën po ecnim mirë në stërvitje, pastaj për rezultatet ndonjëherë është fati. Kurse klubi duhet të ishte më korrekt edhe në trajtimin e skuadrës, ndonëse nuk dua t’i futem shumë thellë. Unë nuk e di si është sjellë klubi në anën financiare me lojtarët, pasi nuk jam futur në këto imtësi, duke qenë se nuk më takonte. Por, për personin tim, klubi nuk ka qenë korrekt. Nga qershori deri në tetor unë jam paguar vetëm 1 muaj”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: