Këtë të premte u zhvillua në Apelin e GJKKO seanca në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se prokurori Behar Dibra ka kërkuar që Festim Bexhdili, kopshtar i “Golden Resort”, të dënohet me 20 vite burg. Por në të njëjtin mendim me të nuk ka qenë kolegia e tij, Elida Kaçkini e cila kërkoi konfirmimin e dënimit të mëparshëm me burgim të përjetshëm, duke theksuar përfshirjen aktive të të pandehurit në rrëmbimin e organizuar me pasojë vdekjen e Prengës.
Dy prokurorët e çështjes ndajnë qëndrime të ndryshme lidhur me masën e dënimit ndaj të arrestuarit duke e bërë seancën në Apelin e GJKKO të paprecedentë. Dosja në ngarkim të Bixhdilit është hetuar pikërisht nga prokurorët e SPAK, Behar Dibra dhe Elida Kaçkini ndërsa mbeten të paqarta rrethanat lidhur me mungesën e konsensusit mes tyre sa i takon dënimit që duhet të vuajë kopshtari i “Golden Resort”.
BalkanWeb mëson se vendimi pritet të jepet më 25 korrik.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar të vitit 2020. Kompleksi “Golden” në Shijak u kthye ne skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj, ndërsa sot në burg ka mbetur vetëm Festim Bexhdili. Hetimet zbuluan se Jan Prenga u ekzekutua me urdhër nga “kokat” e bandës, për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar.
(BalkanWeb)
