Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm u zhvillua seanca gjyqësore ndaj Festim Bexhdilit, kopshtarit të “Golden Resort”, vendi ku dyshohet se u mbajt peng për herë të fundit Jan Prenga, i rrëmbyer dhe më pas i zhdukur në mënyrë misterioze.

Pasi Gjykata e Lartë ktheu dosjen për rigjykim, Prokuroria e Posaçme paraqiti qëndrimet përfundimtare. Prokurori Behar Dibra kërkoi dënimin me 20 vite burg për Bexhdilin, ndërsa kolegia e tij Elida Kaçkini kërkoi konfirmimin e dënimit të mëparshëm me burgim të përjetshëm, duke theksuar përfshirjen aktive të të pandehurit në rrëmbimin e organizuar.

“Në respekt të koleges, ndonëse dakord për pjesën më të madhe të argumenteve, kam një vlerësim ndryshe për shkallën e përgjegjësisë së të pandehurit. Prezenca e tij në kompleks në orën 12:15 mund të justifikohet me punën që bënte si kopshtar. Nuk ka prova që ai njihte pjesën tjetër të grupit,” tha prokurori Dibra.

Ai shtoi se ndihma për të nxjerrë trupin e Jan Prengës nga bagazhi i makinës dhe zhvendosja e tij në një automjet tjetër nuk përbëjnë domosdoshmërisht dijeni për rrëmbimin dhe fatin e mëtejshëm të viktimës.

Ndërkohë, prokurorja Kaçkini argumentoi se provat tregojnë qartësisht rolin aktiv të Bexhdilit: “Nga lëvizjet e dokumentuara në pamjet filmike dhe sjellja e tij në ditën e ngjarjes, është e qartë se ka pasur dijeni për planin kriminal. Ai është parë duke pritur në hyrje të garazhit kur mbërriti automjeti Audi A6 i Altin Hajrit, një nga organizatorët kryesorë. Veprimet e koordinuara tregojnë bashkëpunim të qartë.”

Kaçkini theksoi gjithashtu se Bexhdili nuk ka shfaqur asnjë pendesë apo kërkim faljeje ndaj familjes së viktimës dhe ka mbajtur vetëm një qëndrim mohues.

Festim Bexhdili ishte dënuar më parë me burgim të përjetshëm, por pas vendimit të Gjykatës së Lartë për rigjykim, rasti është rikthyer për vlerësim të rolit të tij në ngjarje.

Vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 25 korrik.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb