Reporteri i medias investigative BIRN, Vladimir Karaj, ka komentuar konfiskimin e dosjeve të gazetarëve brenda godinave të uzurpuara nga kompania shtetërore KAYO dhe Policia Ushtarake, ku ndodhen ambientet e News24 dhe Panorama Group.

Karaj theksoi se “askush nuk ka të drejtë të aksesojë materialet e gazetarëve pa vullnetin e tyre”, duke shtuar se disa prej këtyre dokumenteve përmbajnë informacione që nuk duhet të ekspozohen kurrë.

Ai e cilësoi veprimin si një papërgjegjshmëri të plotë nga ana e autoriteteve.

“Nuk di të them se sa janë komprementuar sepse nuk kam akses aty. Por di të them që është krejtësisht jo normale. Nuk ka rëndësi nëse janë të një gazetari investigative, kulture apo sporti, askush tjetër përpos gazetarit nuk ka të drejtë t’i aksesojë pa vullnetin e lirë të gazetarët. Edhe redaktori i vet nuk ka të drejtë të aksesojë kompjuterin, të dijë të dhënat apo burimet e vartësit të vet nëse s’është rënë dakord mes tyre.

Fakti që persona të panjohur pa lidhje me median, është e rrezikshme, sidomos për gazetarë të emisioneve investigative që kanë burime, bashkëpunëtorë, dokumente që s’duhen ekspozuar asnjëherë. Jo cdo gjë që gazetarët mbledhin ekspozohet e bëhet publike, ka materiale që i ruajmë, nëse ekspozohen mund të kenë viktima, është papërgjegjshmëri totale, një sjellje që dëmton punën e këtyre gazetarëve. Burimet që kanë folur nuk ndihen komod duke e ditur se cfarë po ndodh.

Kush do ketë guximin nesër pasnesër të jetë burimi I një gazetari për të denoncuar korrupsionin shtetëror”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb