Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha të rrugës në aksin që lidh qendrën e Njësisë Dardhas me aksin nacional duke bllokuar kështu disa fshatra. Emergjencat Civile dhe forcat e bashkisë janë në terren për monitorimin e situatës. Sakaq, kësaj situate problematike të vështirë si kanë shpëtuar as disa varre, të cilët janë shkatërruar nga rrëshqitja e dherave.
Ilir Xhakolli kryetar i bashkisë Pogradec deklaroi se reshjet kanë shkaktuar shumë probleme, ndërsa shtoi se më e vështirë është situata në qytet.
“Ka që mbrëmë që reshjet kanë qenë të dendura në Pogradec dhe patjetër që kanë krijuar probleme. Grupi i emergjencave ka qenë në terren, edhe sot kemi bërë takim në bashki dhe janë shpërndarë në të gjithë bashkinë. Dëme më të mëdha kanë dy lumenjtë, por edhe ai i qytetit ka probleme të mëdha, pra të tre lumenjtë kanë probleme siç ishin edhe herën e parë, në Rrëmenj, Vërdovë dhe lumin e qytetit. Këtu ndodhemi në Beragozhdë ku siç e shikoni është shembur një pjesë e rrugës, unë jam edhe vetë këtu për të drejtuar punimet dhe për të hapur aksin rrugor që t’ju vijë në ndihmë banorëve. Kjo është një emergjencë por më tej do të bëhet një rrugë më e rregullt. Meqë koha po hapet, pas 3-4 orësh qetësohet situata, mirë po parashikimet janë që dhe pasdite të fillojnë reshjet dhe të gjitha mjetet janë në gatishmëri.”, tha ai.
