Rruga Elbasan–Gjinar u bllokua paraditen e sotme për rreth një orë, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave të shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut gjatë kësaj jave.

Fillimisht u bë e mundur hapja e një korsie për të rikthyer qarkullimin në këtë aks ku zakonisht gjatë fundjavës ka fluks të shtuar për shkak të numrit të madh të vizitorëve që shkojnë për turizëm dimëror malor.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

Situata problematike u regjistrua rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Lleshan, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin e automjeteve.

Bllokimi i aksit rrugor solli vështirësi për lëvizjen e banorëve dhe mjeteve, pasi kjo rrugë është lidhja kryesore e disa fshatrave të zonës së Shpatit me qytetin e Elbasanit.

Në terren ndërhynë ekipe të ASHP të bashkisë Elbasan dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) për pastrimin e inerteve dhe normalizimin e qarkullimit dhe pas 4 orësh punime, ky aks u rikthye në normalitet.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informohen për gjendjen e rrugës, pasi reshjet e shiut vijojnë të mbajnë të lartë rrezikun për rrëshqitje të tjera dherash në zonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb