Pas rrëzimit në Kuvend të rezolutës së propozuar nga opozita për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër nga oborri i Parlamentit, duke e cilësuar vendimin si një akt të qëllimshëm dhe antikombëtar.

“Nuk ka hipokrizi më të madhe,” deklaroi Blushi, “se të kërkosh në një anë lirimin e drejtuesve të UÇK-së dhe në anën tjetër të votosh kundër një rezolute që dënon krimet serbe në Kosovë.”

Ai akuzoi mazhorancën se po ndjek një axhendë të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, e cila, sipas tij, bie ndesh me interesat kombëtare dhe sidomos me mbështetjen ndaj Kosovës.

“Çfarë ndodhi sot në Kuvend është ajo që paralajmërova: shumica është e vendosur të ndjekë një kurs antikombëtar, i cili e lë Kosovën pa mbështetjen që meriton nga Shqipëria,” tha Blushi.

Ai e cilësoi refuzimin e rezolutës si një mesazh të gabuar, që nuk i shërben as së vërtetës historike dhe as marrëdhënieve me partnerët strategjikë të vendit, duke theksuar se Partia e Lirisë do të vazhdojë të denoncojë çdo akt që minimizon ose relativizon krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb