Ukraina nisi sulme me dronë ndaj Moskës për të tretën natë radhazi, duke ndërprerë funksionimin e aeroporteve në kryeqytetin rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 57 dronë ukrainas në një periudhë tre-orëshe të martën në mbrëmje, përfshirë katër në periferi të Moskës dhe tetë në rajonet fqinje.
Forcat e armatosura ukrainase kanë kryer sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi në Moskë dhe rajone të tjera ruse për muaj të tërë, duke thënë se ato kishin në shënjestër objekte ushtarake dhe industriale.
Agjencia ruse e aviacionit civil (Rosaviatsiya) tha se funksionimi i aeroporteve Domodedovo dhe Zhukovsky ishte pezulluar përkohësisht për arsye sigurie.
Kryetari i bashkisë së kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, tha në një postim në platformën Telegram se ekipet e shpëtimit kishin nxituar në vendin ku kishin rënë rrënojat e një droni ukrainas që fluturonte drejt Moskës. Deri më tani nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha.
Autoritetet ruse nuk e zbulojnë ndikimin e saktë të sulmeve ukrainase në vend, përveç nëse ka viktima ose nëse janë goditur objektiva civile.
Gjatë dy netëve të fundit, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se 35 dronë ukrainas që po shkonin drejt Moskës ishin rrëzuar, pa përmendur ndonjë dëm material.
