Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një helikopter u rrëzua në një lumë në Indonezi, teksa ishte në mision për shuarjen e zjarreve në pyje.
Aksidenti ndodhi në provincën Kalimantan Jugor, gjatë një operacioni kundër vatrave të zjarrit. Sipas Agjencisë Indoneziane për Menaxhimin e Fatkeqësive, viktimë mbeti një anëtar indonezian i ekuipazhit, ndërsa dy personat e tjerë që ndodheshin në bord, një shtetas australian dhe një nga Zelanda e Re, ishin gjallë dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Autoritetet indoneziane identifikuan viktimën si Yayan Supyansuri. Dy personat e shpëtuar janë Michael John Betterridge, shtetas australian, dhe Hugh Andreu John Page, shtetas i Zelandës së Re.
Pamjet e publikuara nga autoritetet dhe të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur helikopteri, një Super Puma H-225, fluturon mbi lumë me një kovë të posaçme për transportimin dhe hedhjen e ujit mbi vatrat e zjarrit. Pak çaste më vonë, mjeti ajror humbet kontrollin dhe zhytet me pjesën e përparme në ujë.
Në pamje të tjera shihen ekipet e shpëtimit duke iu afruar helikopterit, i cili kishte mbetur pjesërisht i zhytur në lumë, përmes varkave.
Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se operacionet për shuarjen e zjarreve do të vazhdojnë. Helikopteri i përkiste një kompanie private, e kontraktuar nga autoritetet për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një tjetër aksidenti ajror në provincën Kalimantan Qendror, ku një helikopter u rrëzua gjatë një operacioni të ngjashëm, duke shkaktuar vdekjen e tre anëtarëve të ekuipazhit. Ushtria indoneziane bëri të ditur se kishte arritur të nxirrte kutinë e zezë të mjetit ajror, e cila pritet të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të tragjedisë.
Indonezia prej muajsh po përballet me zjarre masive në pyje dhe zona torfike, të favorizuara nga kushtet e thata dhe fenomeni klimatik El Niño. Flakët kanë shkaktuar përhapjen e një reje të dendur tymi toksik, duke mbuluar qytete të tëra dhe duke rritur rastet e problemeve me frymëmarrjen në ishujt Kalimantan dhe Sumatra.
Ndotja e ajrit është përhapur edhe në vendet fqinje, Malajzi dhe Singapor, duke ngritur shqetësime për shëndetin publik. Në përpjekje për të përballuar situatën, disa shtete të huaja kanë ofruar ndihmë, mes tyre edhe Australia, e cila ka dërguar avionë dhe 20 persona, përfshirë pilotë dhe personel mjekësor.
