Zgjidhjet e martesave ose siç quhen ndryshe “divorcet” janë çështjet që zënë peshën kryesore ndër çështjet civile në Gjykatën e Beratit, ndërsa avokatët dhe psikologët besojnë se emigracioni është një ndër shkaqet kryesore të ndarjeve.

Nga viti në vit në Berat numri i çështjeve për zgjidhjen e martesës është rritur ndjeshëm. Të dhënat zyrtare nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat tregojnë se në vitin 2022 kanë qenë 761 çifte që i janë drejtuar gjykatës për të zgjidhur martesën e tyre, rreth 200 më shumë se një vit më parë, pasi viti 2021 regjistroi 583 çështje divorcesh.

Referuar statistikave zyrtare, nga 761 çështje me objekt “zgjidhjen e martesës” në vitin 2022, 414 çështje kanë përfunduar me ndarje (mes tyre 3 janë zgjidhur me pajtim dhe 1 me marrëveshje), ndërkohë që 347 çështje janë mbartur për këtë vit.

Avokatët e çështjeve civile në Berat listojnë një sërë arsyesh për divorcet, nga më banalet tek më madhoret, ndërkohë që citojnë si shkaqet kryesore për divorc emigracionin dhe pamundësinë ekonomike.

Avokati Arhenc Berati, duke deklaruar si shkaqet kryesore emigracionin dhe pamundësinë ekonomike, deklaron se periudhat kur ka më shumë kërkesa për divorc në zyrën e tij janë muajt gusht dhe dhjetori, pikërisht koha kur emigrantët kthehen pranë familjeve të tyre nga emigracioni.

Sipas avokatit Arhenc Berati, problemet e akumuluara gjatë marrëdhënies në distancë gjatë kohës që një prej bashkëshortëve mungon në shtëpi, por edhe pamundësia ekonomike dhe probleme të tjera sociale, çojnë në vendimin e njërit prej bashkëshortëve për t’i dhënë fund martesës së tyre.

Arenc Berati
Arenc Berati

Një tjetër shkak që i ka çuar familjet beratase drejt divorcit, sipas avokatit Berati është edhe fenomeni i ushtrimi i dhunës ndaj bashkëshortëve, ku dominon në 96% të rasteve dhuna fizike dhe psikologjike e burrit ndaj gruas, fenomen që përveç zonave rurale ka gjetur shtrirje masive gjatë 5 viteve të fundit edhe në qytet.

Duke deklaruar se divorcet janë duke u shtuar nga viti në vit, avokati Arhenc Berati deklaron se divorcet kanë prekur jo vetëm martesat në 5 vitet e para por edhe martesat mbi 25-vjeçare. Sipas tij, mosha më e prekur nga divorcet është ajo 30-45 vjeç, por janë shtuar dukshëm edhe divorcet në moshë më të madhe, pra 55-65 vjeç, ndërkohë që vitet e fundit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat është përballur edhe me martesat fiktive, vetëm për dokumente.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb