Silda Anagnosti Çepe, anëtare e Këshillit Bashkiak, e ftuar në News 24, foli për shqetësimin në rritje nga përdorimi i monopatinave elektrike në qytete.
Ajo tha se është propozuar ndalimi i këtyre mjeteve në sheshet dhe pedonalet qendrore, për shkak të aksidenteve të shumta. Çepe theksoi se përdorimi i monopatinave nga të miturit dhe mungesa e rregullave të qarta po rrezikojnë sigurinë publike.
Ajo shtoi se pritet vendosja e gjobave dhe miratimi i një kuadri të ri ligjor nga Këshilli Bashkiak.
Silda Anagnosti Çepe, anëtare e Këshillit Bashkiak: Kemi propozuar heqjen e monopatinave nga sheshet dhe pedonalet. Monopatinat dhe skuterat elektrikë janë kthyer në një problem sa i përket aksidentit. Këto mjete janë të fundit të teknologjisë dhe këtu ligji na pengon disi, sepse janë mjete të fundit. Një prindër nuk duhet ta lërë një fëmijë të ecë me këto mjete pa mbushur 16 vjeç. Ata që ecin me monopatinë duhet të ecin me kaskë mbrojtëse. Prindërit janë të shqetësuar. Problemi është se ka dhe “fëmijë rebelë”, që kanë ca para në dorë dhe blejnë monopatinë, ndaj duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë, që të kemi kujdes.
Ne duam që kudo që ecin njerëzit, të mos kalojnë monopatinat. Prsh të mos kalojnë monopatinat në Sheshin Italia, në Sheshin Skënderbej etj. Kur ka kuadër ligjor, Policia Bashkiake mund të vendosë edhe gjoba. Ne duam pra të vendosim këto mjete brenda kuadrit ligjor, shpresojmë që ligjin ta kalojmë herën e radhës të Këshillit Bashkiak. Përpos kësaj iniciative ligjore, ne kemi vendosur për të kaluar disa ligje edhe që mbrojnë gratë dhe vajzat.
