Kryeministri Edi Rama ritheksoi edhe njëherë se do të ketë rritje të pagave për 720 efektivë policie.

Në nisje të podkastit të tij “Flasim”, Rama u shpreh se Forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të mbështeten ende më shumë për punën e tyre sfiduese.

Gjithashtu Rama tha se këtë javë është këtë javë është kryer edhe një transferim i rëndësishëm financiar që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sistemit të pensioneve.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama

Rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page. Forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të mbështeten ende më shumë për punën sfiduese dhe të vyer që bëjnë në shërbim të komuniteteve, në shërbim të atdheut tonë të përbashkët.

Një inspektor në RENEA do të paguhet tanimë afro 1.600 euro, ndërsa një drejtues në këtë strukturë do të arrijë në afro 2.300 euro. Për forcat operacionale, paga e një inspektori do të shkojë rreth 1.200 euro, ndërsa për një kryekomisar mes 1.600 dhe 1.700 euro.

Bashkë me investimet serioze në teknologji, trajnim dhe pajisje, kjo rritje është një pjesë tjetër e qasjes konstante për forcimin e rendit dhe vendosjen e një raporti sa më të drejtë mes kërkesës për rezultate dhe vlerësimit sa më të përshtatshëm të këtyre rezultateve.

Këtë javë është kryer edhe një transferim i rëndësishëm financiar që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sistemit të pensioneve dhe me ccka jemi zotuar për për gjyshet dhe gjyshërit e kësaj republike.

Sikundër e kishim paralajmëruar, fondet e kursyera buxhetore të vitit 2025 do të  depozitoheshin në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, gjë që sapo është bërë në një shumë prej 167 milionë euro.

Transferimi i këtyre 167 milionë eurove në këtë fond e rrit kapacitetin e sistemit për të përballuar, qoftë ato që janë zotime të marra gërmë për gërmë, shifër për shifër dhe muaj për muaj e vit për vit ndaj pensionistëve, por edhe  detyrimet afatgjata duke garantuar kështu rritjen e premtuar të pagave mujore për pensionistët, si dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: