TIRANE- Duke nisur nga e sot avokatët në të gjithë vendin bojkotojnë punën. Vendimi për bojkotin prej 3 ditësh u mor nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në shenjë kundërshtie për ligjin e profesioneve të lira. Kjo protestë siç është paralajmëruar nga Dhoma e Avokatëve vjen si reagim ndaj rritjes së pagës së referencës dhe për rrjedhojë dhe të masës së taksimit.

E njëjta situatë do të jetë dhe në Durrës, ku në mbledhjen e zhvilluar avokatët unanimisht vendosën të bojkotojnë të gjitha seancat gjyqësore me përjashtim të masave të sigurisë. Skënder Korriku, kreu i Dhomës së Avokatisë në Durrës tha se protesta vjen për të kundërshtuar vendimin e qeverisë. Sipas avokatëve të Durrësit kjo është një lloj vjedhje sepse këto kontribute që shteti i mbledh ti marrë nga këta të fundit nuk është se do ti shkojnë për rritjen e pensioneve.

HALUCI: AVOKATËT TË MOS BOJKOTOJNË SEANCAT
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar edhe në Vlorë avokatet kanë bojkotuar sot seancat gjyqësore. Bojkoti është menduar të zgjas tre ditë, ku asnjë seancë gjyq nuk do të arrije të zhvillohet për shkak të mungesës së avokateve të palëve. Kreu i gjykatës së Vlorës, Skender Haluci ka sqaruar se bojkoti sjell moszhvillimin e rreth 140-180 seancave në ditë, duke krijuar kështu një ngarkesë të madhe për zhvillimin e proceseve gjyqësore kur gjykata ti kthehet normalitetit.

Haluci gjithashtu sqaroi se i ka kërkuar kreut të Dhomës se Avokatisë gjetjen e gjuhës së përbashkët për zhvillimin vetëm të masave të sigurisë, të cilat kërkojnë zhvillimin e seancave në harkun kohor të 72 orëve. Kreu i gjykatës së Vlorës u ka bërë thirrje avokatëve të mos bojkotojnë procesin, i cili shkakton pengesa në punën e gjyqtarëve dhe pakënaqësi në radhët e qytetarëve.

AVOKATËT-DHOMËS KOMBËTARE TË AVOKATISË: BOJKOT DHE MASAVE TË SIGURISË
Disa avokatë me anë të një kërkesë drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë i kanë kërkuar që të bojkotohen edhe masat e sigurisë, përveç çështjeve të tjera.

Ndër të tjera, grupi i avokatëve ka kërkuar dhe një takim me Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, ndërsa më herët është kërkuar ankimim i ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Sakaq, avokati Sajmir Visha bëri thirrje që të bllokohet dera e Kryeministrisë në shenjë proteste.

PROTESTAT
Më herët avokatët protestuan duke bojkotuar vetëm me një ditë punën, por tashmë protesta do të zgjas tre ditë, duke bllokuar seancat gjyqësore. Dhoma Kombëtare e Avokatëve mësohet se do ti drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese ku do të kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Qeverisë. Në grevën e parë u përfshinë të gjithë shkallet e gjyqësorit dhe greva u shtri në të gjithë vendin.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatave, Ministria e Drejtësisë apo Gjykatat nuk kanë tagër të ndërhynë, pasi Dhoma e Avokatëve është një institucion privat, që nuk ka asnjë lloj varësie nga institucionet e sipërcituar.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: