Ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Artis Pabriks ka njoftuar se shteti baltik do të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak pas tensionit gjithnjë e në rritje me Rusinë fqinje në mes të luftës së Moskës në Ukrainë.
“Sistemi aktual ushtarak i Letonisë ka arritur kufirin e tij. Ndërkohë, ne nuk kemi asnjë arsye të mendojmë se Rusia do të ndryshojë sjelljen e saj”, u tha Pabriks gazetarëve.
Letonia e kishte hequr shërbimin e detyrueshëm disa vite pasi u bashkua me aleancën e mbrojtjes së NATO-s. Që nga viti 2007, ushtria e Letonisë përbëhet nga ushtarë të karrierës, së bashku me vullnetarë të Gardës Kombëtare që shërbejnë në këmbësorinë me kohë të pjesshme gjatë fundjavave.
Vendi me më pak se dy milionë banorë, i cili kufizohet me Bjellorusinë dhe Rusinë, aktualisht ka vetëm 7,500 ushtarë aktivë dhe anëtarë të Gardës Kombëtare, të mbështetur nga 1,500 trupa të NATO-s.
Pabriks tha se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të zbatohet për burrat dhe do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, me disa opsione të disponueshme për përmbushjen e kërkesës.
Gatis Priede, një ushtar i Gardës Kombëtare, e quajti vendimin si “lajmin më të mirë” dhe tha se vendimi duhej të ishte marrë që prej kohës kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014.
“Kjo është gjëja e duhur, për të trajnuar më shumë rezervistë për ushtrinë tonë dhe për forcën e përgjithshme të NATO-s, e cila ende mungon në mënyrë kritike në rajonin e Evropës Veriore dhe Baltikut”, tha ai për AFP.
Pabriks njoftoi gjithashtu planet për të ndërtuar një bazë tjetër ushtarake pranë qytetit juglindor të Jekabpils, që ndodhet më afër kufirit rus sesa baza ekzistuese Adazi, shkruan The Defense Post.
