Është prezantuar këtë të martë, raporti i tranzicionit të BERZH, 2025-2026 “Brave old World”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në prezantimin e raportit të tranzicionit tha se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri dhe përshtatshmëri të mira.

“Rritja ekonomike është e qëndrueshme. Kushtet e tregut të punës janë përmirësuar ndjeshëm, reflektuar me rritje të punësimit. Deri më sot tregu është përshtatur dhe është shoqëruar me paga më të larta. Banka  e Shqipërisë ka luajtur gjithashtu një rol me rëndësi”, tha ai.

Sipas Guvernatorit, të dhënat e regjistrimit të popullsisë 2023 tregojnë se Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë, ndërsa mosha mesatare ka arritur pothuajse 43 vjeç. Emigracioni, dikur faktor lehtësues për papunësinë, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sfidë strukturore për ekonominë dhe shoqërinë.

Sejko vlerësoi se, pavarësisht presioneve demografike, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri të lartë vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja ekonomike, përmirësimi i tregut të punës dhe forcimi i sektorit bankar. Ai theksoi rolin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

Ai theksoi se përballimi i sfidave demografike kërkon reforma të guximshme në sistemet e pensioneve, përshtatjen e tregut të punës, hartimin e politikave të qëndrueshme të migracionit dhe investime për mirëqenien e një popullsie në plakje, përfshirë përdorimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale, me fokus të veçantë te brezat e rinj në procesin vendimmarrës ekonomik.

Në përmbyllje, Sejko theksoi se demografia nuk duhet parë si një fat i paracaktuar dhe bëri thirrje për reforma të guximshme, përfshirë reformimin e sistemeve të pensioneve, modernizimin e tregut të punës, politika realiste të migracionit dhe investime në teknologji dhe inteligjencë artificiale, me brezat e rinj në qendër të vendimmarrjes ekonomike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: