Prej më shumë se dy javësh, në të gjitha tregjet e qarkut të Beratit po vihet re një rritje e ndjeshme e çmimeve të produkteve ushqimore, ndërkohë që çmimet e frutave dhe perimeve po thyejnë rekorde.
Siç duket, pas rritjes së çmimit të karburanteve, rritja e çmimeve ka përfshirë edhe fruta-perimet në Berat dhe brenda një kohe të shkurtër, produktet bazë të konsumit në tregje janë dyfishuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e fuqisë blerëse.
Gjatë një vëzhgimi në tregje, rezulton se shumë produkte bazë kanë pësuar shtrenjtim të dukshëm.
Sipas banorëve, shtrenjtimi ka përfshirë si produktet bazë të shportës, ashtu edhe tregun e fruta-perimeve, duke i bërë këto produkte ushqimore gjithnjë e më të papërballueshme për konsumatorët.
Ndërkohë që banorët thonë se presin ditët e tregut, kur tregtarë e ardhur nga zonat rurale ofrojnë çmime disi më të ulëta, duket se më të prekurit nga kjo situatë janë të moshuarit, të cilët mbështeten kryesisht te pensionet dhe e kanë të vështirë të përballojnë kostot në rritje.
Këtë situatë e konfirmojnë edhe vetë tregtarët, të cilët shprehen për një rënie të dukshme të konsumit nga dita në ditë.
Rritja e menjëhershme e çmimeve dhe sidomos atyre të shportës po ndikon ndjeshëm në ekonominë e shumë familjeve beratase, që kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme e institucioneve, pasi-sipas tyre-kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme.
