Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrogat e magjistratëve. Ai tha nga mbledhja e grupit të PS-së se donin që t’i bënin buxhetit të shtetit një gropë të madhe.
“Halli i vërtetë këtu është se po bëhen ca si shumë. Deklaratat e prishje-gjumit të këshillave janë lule, para atij çarçafit që nxori shoqata rrogarritëse e gjykatëseve. Fletërrufe e vërtetë që do ta kishin lexuar me ton dramatik dhe vetë heroina e rrugës së shpresës, Albana Bulku. Ndërkohë që unë vura alarmin si kryeministër i Shqipërisë për gropën që Shoqata në fjalë donte të hapte në buxhetin e shtetit duke i rritur rrogën vetes me gjyq dhe padrejtësisht. Pastaj halli i halleve është se; duart si kemi për të vënë në kokë, por për të hapur rrugë për BE.
Kemi shumicën me 88 deputetë. Këtë shumicë ky popull na e ka vënë në dispozicion që të përveshim mëngët dhe mos të ndalemi. Askush nuk duhet të merret me gafat dhe lajthitjet e qeverisë së re. Qëllimi ynë nuk është që të bëjmë presion për gjëra që nuk shkojnë, por të ecim mirë drejt kauzave të drejta.”, tha ai.
