Disa persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre një grua në gjendje të rëndë, pasi rrufeja goditi një pemë në një park rekreativ në Skåne, në jug të Suedisë.
Ngjarja ndodhi në parkun Tosselilla Sommarland gjatë një stuhie të fortë, sipas njoftimit të vetë parkut në rrjetet sociale.
“Sot patëm një stuhi të fortë në Tosselilla, e cila shkaktoi goditje rrufeje që goditën drejtpërdrejt zonën. Si rezultat, disa persona u plagosën”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet shëndetësore lokale konfirmuan se një grua 45-vjeçare është shtruar në spital me lëndime të rënda.
Dy persona të tjerë janë transportuar me ambulancë, ndërsa dy të rritur dhe pesë fëmijë janë trajtuar në vendngjarje.
